Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 08:40

Tiranë – Tribun i lirisë së shqiptarëve, e cilësoi kryeministri Sali Berisha figurën e Azem Hajdarit, ndërsa sot eshte kujtuar 50 vjetori i lindjes së tij.

“Jemi këtu për të festuar 50 vjetorin e njerit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve, 50 vjetorin e lindjes së Azem Hajdarit. Theksoj për të festuar, sepse burra si ai shënjohen me germa të arta në memorien e historisë së kohës. Nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë gjithnjë, ndaj dhe ditëlindja e tyre festohet gjithnjë. I tillë ishte Azem Hajdari, një personalitet, një i ri, i cili në takimin më të parë nuk mund të gjeje diçka tjetër për ta vlerësuar, përveç fjalës tribun.”- tha Berisha.

Berisha e vlerësoi figurën e Azem Hajdarit si udhëheqësin e Lëvizjes Studentore, ndërsa më vonë, theksoi  ai, Azemi ishte dëshmi se një tribun i vërtetë lirie drejtonte këtë lëvizje, udhëhiqte vendosmërisht këtë lëvizje.

“Në 1 shekull janë me qindra dhe me mijëra shqiptarë që kanë bërë sakrifica më të mëdha, më sublime për lirinë e kombit. Unë kam bindjen se asnjë nuk ka kontribuar personalisht sa Azem Hajdari për lirinë tonë për lirinë e shqiptarëve. Ndaj ne nuk kujtojmë, ne sot festojmë ditëlindjen e këtij tribuni të madh të lirisë së shqiptarëve.”- tha Berisha.

Kryeministri Berisha kujtoi gjithashtu se Azem Hajdari ka bërë gjithçka që të mbështeste Lëvijen Çlirimtare të Kosovës.

“Ai ra në atentatin e rrezikshëm shumë në Tropojë. Por në Tropojë ai shkoi për të mbështetur qytetarët e Kosovës. Shkoi për të mbështetur Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës. Idhulli i tij ishte Presidenti Rugova, tek i cili kishte një besim të jashtëzakonshëm, adhurim të jashtëzakonshëm. Çdo ditë ai do të jetonte me preokupimin më të madh se si në të ndihmojmë Kosovën. Ai ndjehej tërësisht pjesë e saj, kërkonte të merrte pjesë direkt.”- theksoi kreu i qeverisë.

Berisha tha se sot ne duhet të jemi krenarë sepse idealet e tij janë bërë realitet.

“Festojmë sepse Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, lëvizim të lirë në mbarë Evropën, festojmë sepse shqiptarët bëjnë përpjekjet më të madhe për tu bashkuar me Evropën,  Kosova është e lirë, se shqiptarët janë të lirë dhe të pavarur. Në Shqipëri po ndërtojmë demokracinë e bazuar në vlerat e tregut. Jemi më të sigurtë se kurrë në të ardhmen që Azem Hajdari projektoi për vehte, për fëmijët e tij dhe për shqiptarët.”- përfundoi Berisha. (LajmeShqip.com)