Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 21:28

Prishtinë – “Ne Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, njoftojmë opinionin se tërhiqemi nga Këshilli Organizues për shënimin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga institucionet shtetërore – Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe komunat”, thuhet në komunikatën për medie të OVL – UÇK-së.

Tutje në komunikatë thuhet se, mospjesëmarrjen në këto aktivitete e bëjmë pa dëshirën tonë por jemi të detyruar për shkak se institucionet e vendit, i anashkalojnë ata të cilët me mundin, sakrificën, gjymtyrët e jetët e tyre, janë më meritorët për shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Ishte e paraparë që në marshin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, së bashku me FSK-në të marshojnë edhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç bëhet në të gjitha vendet e lira e demokratike, në festat me rëndësi kombëtare e shtetërore. Fatkeqësisht vendimi që në këtë marsh të mos marrin pjesë veteranët e UÇK-së, tregon servilizmin e institucioneve ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe atyre që UÇK-në e kanë halë në sy”.

Pas këtij vendimi që shkel vlerat e luftës, ne vendosëm që aktivitetet tona për nder të kësaj dite, t’i shënojmë ndaras nga ato të institucioneve, përfundon komunikata.(LajmeShqip.com)