Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 10:14

Tiranë – Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ka përkujtuar dje 5-vjetorin e vdekjes së politikanit dhe shkrimtarit, Pjetër Arbnori, i ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare.
Në Muzeun Historik Kombëtar, në prani të miqve dhe të afërmve, u shfaq dokumentari për jetën e Arbnorit, i realizuar nga regjisori Ilir Buçpapaj, një rrëfim i jetës së tij nga miq e të afërm që në fëmijëri e deri sa vdiq.
Drejtori QNK-së, “Pjetër Arbnori”, Mujë Buçpapaj, në fjalën e tij e cilësoi atë si simbol të lirisë dhe ekzistencës antikomuniste, që për mëse 30 vjet u persekutua nga regjimi komunist. “Shkrimtar disident, disident politik, studjues, humanist, Arbnori, përbën profilin më të spikatur të një intelektuali të shek. XX”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se në historinë e re të vendit tonë të rralla janë figurat si Pjetër Arbnori, i cili nga i persekutuar i regjimit u kthye në udhëheqësin e demokracisë në fillim të viteve ’90.
Dokumentari përfshinte edhe mendime të politikanëve dhënë në ditën e homazheve ndaj Arbnorit, ku Kryeministri Sali Berisha tha se kombi humbi një kollos të qëndresës njerëzore për liri dhe dinjitet. Ndërsa presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu, e cilësoi si njeriun me vlera humaniste dhe tolerante.
Në dokumentar flitej gjithashtu për vuajtjet e Arbnorit gjatë viteve në burgun e Burrelit, ku edhe pse i dënuar nga sistemi komunist, ai nuk pushoi veprimtarinë e tij kundër diktaturës komuniste.
Pjeter Arbnori u lind në qytetin e Durrësit në 18 janar të vitit 1935. Pavaresisht nga fakti se mbaroi shkollen e mesme me medalje, nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta. Me anë të dokumentave të rreme mundi të fillojë studimet në Universitetin e Tiranës dhe mbaroi në dy vjet e gjysmë, nga pesë vjet që ishin, me rezultate të shkëlqyera.
Në pranverën e vitit 1961 Arbnori u arrestua dhe pas një proçesi të gjatë prej dy vjetësh u denua me vdekje. Mbas tre muajsh denimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit.
Mbasi kreu dënimin me më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989. Gjatë 71 viteve të jetës së tij ai është nderuar me titujt “Mesues i Popullit”, “Pishtar i Demokracise”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Vaut te Dejës, etj. Politikani Pjetër Arbnori u nda nga jeta në 8 korrik të vitit 2006, kur ndodhej në Itali për ndërhyrje mjekësore.