Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 20:10

Tiranë-Në katër vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryebashkiaku Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa, ku ka garantuar  mbështetjen dhe përkrahjen e Bashkisë së Tiranës për projektet e kryeqytetit kosovar.

“Për mua është kënaqësi e veçantë, që në emrin tim dhe të qytetarëve të Tiranës t’ju përcjell Juve dhe përmes Jush, të gjithë popullit të Prishtinës e mbarë Kosovës, urimet më të përzemërta, në përvjetorin e  katërt të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në mesazhin e urimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Basha, vlerëson se që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Prishtina ka njohur një progres të admirueshëm dhe se Komuna e Prishtinës ka arritur të implementojë standardet  europiane të qeverisjes vendore, në administrimin e kryeqytetit të Kosovës.

“Ndërsa vazhdoni angazhimin tuaj për të përmirësuar sa më shumë jetën e banorëve të Prishtinës dhe në këtë ditë feste për të gjithë shqiptarët, më lejoni t’ju garantoj se tek Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht, do të gjeni mbështetje dhe përkrahje, për të gjithë projektet tuaja”, thekson Basha në këtë mesazh urimi. (LajmeShqip.com)