Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:13

Tiranë- Në dy muajt e parë të punës, ministritë kanë shpallur 35 tendera publikë, në vlerë totale 4.625.128 lekë apo e thënë ndryshe afro 46 mijë USD. Shuma modeste e shpenzimeve në raport me kabinetin paraardhës është një element që bie në sy por jo dhe aq referuar arsyeve që i kanë detyruar dikasteret të shpallin këto prokurime në kushtet kur kryeministri Rama përforcon gjithmonë e më shumë pretendimin se “arka e shtetit është bosh”. Rezultojnë katër ministri, respektivisht ajo e Brendshme; e Bujqësisë; Drejtësisë dhe e Financave, titullarët e të cilave i kanë nisur shpenzimet e fondeve të buxhetit të shtetit me blerje qumështi, kafeje, uji pa gaz, gota plastike deri dhe tek tabaka alumini, filxhanë porcelani e orendi të tjera për pritje-përcjellje si në rastin e ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që ministria e Mirëqenies Sociale; ajo e Financës; e Arsimit si edhe e Punëve të Jashtme, më shumë sesa blerjes së këtyre asortimenteve iu kanë kushtuar rëndësi shpenzimit të fondeve publike për blerjen e detergjentëve e materialeve të ndryshme të pastrimit, duke patur kësisoj në fokus të harxhimeve, higjenën brenda institucionit.
BILETA AVIONI
Dy nga 35 tenderat e parë publikë që bien në sy në raport me të tjerët lidhen me Ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Veçantia e prokurimeve të shpallura prej dikastereve që ata drejtojnë lidhet pikërisht me faktin se janë shpenzime për udhëtime jashtë shtetit. Konkretisht ministri Veliaj ka shpenzuar nga fondet e buxhetit të shtetit afro 2 mijë USD për blerjen e një bilete avioni për itinerarin Tiranë-Boston; Boston-Tiranë, me nisje në datën 14 Tetor 2013 dhe kthim në datën 16 Tetor 2013. Arsyet e kësaj vizite nuk dihen. /gazeta shqiptare/