Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 09:30

Tiranë – Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me burgim të përjetshëm për tre anëtarë të “Bandës së Cërrikut”. 

Në seancën e zhvilluar dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përfaqësuesit e prokurorisë lexuan konkluzionet hetimore, duke kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me burgim për tetë të pandehurit e “Bandës së Cërrikut”.

Kështu, prokurori i çështjes kërkoi burgim për jetë për të pandehurit Meti Bozi, Arjan Toska dhe Roland Xhepaxhiu, ndërsa për katër të pandehur të tjerë, dënime që varjojnë nga 21 deri në 25 vjet burg.

Për të penduarin e bandës Bujar Buzani u kërkua  dënimi me  8 vjet burg.

Të akuzuarit si anëtarë të Bandës së Cërrikut, akuzohen si autorë të ngjarjes së rëndë të ndodhur më 23 mars të vitit 1997 në Cërrik, kur, si pasojë e një sulmi me armë zjarri u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën disa efektivë të policisë së Shtetit.

Forcat e rendit që kishin shkuar në Cërrik për të vendosur rendin dhe qetësinë, pas trazirave në atë qyteze, u sulmuan nga grupe të armatosura dhe si pasojë 6 prej tyre gjetën vdekjen, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur.