Lajme Shqip Monday, 06 May 2013 14:27

Tiranë – Mungon sërish konsensusi për miratimi ne 3 ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Tre ligjet, për Gjykatën e Lartë, për nëpunësin civil dhe rregullorja e Parlamentit, janë pjesë e axhendës së Kuvendit që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, por edhe sot ato mbetën ‘pezull’, pasi opozita u largua nga salla e Kuvendit në momentin e votimit, shkruan BW.

Më herët  kryeparlamentarja Topalli i bëri thirrje kreut të PS-së Edi Rama të lejojë deputetët e majtë të kryejnë detyrën e tyre dhe t’i votojnë. 

Ndërkohë, teksa pritej që ne Kuvend të miratoheshin tre ligjet e integrimit, Berisha i kërkoi kreut të LSI-së, Ilir Meta që të mos i shndërrojë ligjet në pazar për listat e zeza në kurriz të mbështetësve të tij”. 

“Që nga janari i vitit 2012 deri ditën e aleancës, Meta ftonte Ramën të votonte ligjet, por tani thotë që ftoj Berishën për të miratuar ligjet, ndërkohë që ne jemi të gatshëm në çdo orë t’i votojmë këto ligje”, tha Berisha, raporton TCH. 

Kryeministri theksoi se përgjegjësia për mosmiratimin e këtyre ligjeve bie mbi kreun socialist Edi Rama, i cili me bllokimin e tij u privoi shqiptarëve qindra milionë euro investime.