Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 10:26

Tiranë – Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së bërë nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë gjatë kësaj periudhe zona të ndryshme të territorit të Shqipërisë.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes bënë të diur se gjatë një takimi që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, zhvilloi dje me Ministrin e Brendshëm,  Bujar Nishani dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Alfred Olli, shprehu gatishmërinë e plotë që kanë Forcat e Armatosura për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në pyje dhe kullota.
“Ne jemi të gatshëm dhe ofrojmë të gjitha forcat dhe mjetet tona që kemi në dispozicion, për menaxhimin e situatave të Emergjencave Civile të krijuara nga zjarri, duke bërë ç’është e mundur që situata të normalizohet sa më shpejt”, nënvizoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshi, gjatë takimit.
Që nga momenti kur Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm morën sinjalin për ndërhyrje në zonat e prekura nga zjarret, FA vuri në dispozicion të Emergjencave Civile, 12 mjete transporti, 11 mjete zjarrfikëse si dhe 7 auto-ambulanca.
Po kështu u angazhuan 295 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po ndihmojnë për shuarjen e zjarreve në zonat veriore dhe jugore të vendit, të cilat janë prekur më shumë nga zjarret. Gjithashtu, në ndihmë të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, është vënë në dispozicion një helikopter nga Forcat Ajrore, i cili po bën monitorimin e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Deri tani, mësohet se janë shkaktuar si pasojë e temperaturave të larta, apo nga pakujdesia e banorëve, rreth 14 vatra të mëdha zjarri. 
Zjarret që kanë nisur qysh në 10-ditëshin e parë të muajit korrik kanë vazhduar pothuajse pandërprerë, ndërkohë që gjatë dy ditëve të fundit ato janë përhapur duke përfshirë sipërfaqe të mëdha kullotash dhe pyjesh.     
Forcat e Armatosura po shfrytëzojnë të gjitha resurset njerëzore, teknike dhe materiale, në mbështetje të shuarjeve të zjarreve duke dhënë kontributin e tyre maksimal.