Lajme Shqip Thursday, 29 November 2012 14:17

Tiranë – Presidenti i Republikës Bujar Nishani nderoi të rënët e luftës nacional-çlirimtare duke vendosur një buqetë me lule në varrezat Dëshmorët e Kombit.

Pas ceremonisë së rastit, presidenti tha se është një meritë e vecantë e atyre që u ngritën e ranë në Luftën e Dytë Botërore që shqiptarët festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Sot ne të gjithë kujtojmë dhe nderojmë veprën e tyre, e atyre që u ngritën e u bashkuan pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të tokës, nderit dhe flamurit tonë. Veprat e tyre janë sot më shumë se kurrë të realizuara. Sot më shumë se kurrë, ideali i tyre është jetësuar. Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë një vend i lirë, sot Shqipëria është një aleate e NATO-s dhe e botës së Perëndimit, sot Shqipëria ecën e sigurt drejt integrimit europian, sot më shumë se kurrë kemi ç’t’u themi të gjithë brezave, që nga ngritja e flamurit e deri në ditët e sotme është një kontribut që nuk ka shkuar dëm”, deklaroi Presidenti Nishani.

Presidenti nuk ka dashur të komentojë debatin politik për datën e çlirmit të vendit. Sipas tij, kjo është çështje që i takon partive politike.

“Këto janë çështje të këndvështrimit të partive politike, janë të tyre. Presidenti i Repubvlikës duhet të respektojë detyrimet ligjore dhe atë çka Kuvendi ka miratuar me ligj. 29 Nëntori është përcaktuar nga Kuvendi si Dita e Çlirimit”, tha zoti Nishani.

I pyetur mbi refuzimin e Ministrit të Jashtëm grek për të qenë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, nisur kjo nga deklaratat e kryeministrit Berisha “thënë në një kontekst historik”, Presidenti i Republikës tha:

“Momente të tilla të festimit të 100-vjetorit dhe përvjetorët që lidhen me Pavarësinë, janë pjesë e vlerësimit dhe të kujdesit të historisë sonë. Në tërë historinë tonë, Shqipëria dhe shqiptarët kurrë nuk kanë patur qëllime të këqija ndaj fqinjëve. Shqipëria ka promovuar parime të flakta të bashkëjetesës. Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial ndaj fqinjëve. Por sigurisht që në ditët e 100-vjetorit mund t’u referohemi çështjeve historike dhe kjo nuk përbën asnjë cënim për fqinjët”, u shpreh Presidenti.

Rama: Heronj që dhanë jetën për lirinë

Eksponentë të shumtë të opozitës parlamentare, të drejtuar nga kryetari Edi Rama, kanë bërë paraditen e së enjtes homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e festës së 29 Nëntorit.

Rama, i shoqëruar nga deputetët socialistë, ka vendosur lule dhe ka mbajtur një minutë heshtje përpara monumentit Nëna Shqipëri.

Në një prononcim për mediat, Rama është shprehur se 29 Nëntori është pjesë e një historie të shkruar nga njerëz që besuan në një ëndërr, për të cilën sakrifikuan edhe jetën.

“Njerëz që besuan se duke guxuar mund të arrinin atë që askush nuk do të kishte kurajon ta përfytyronte, të kundërshtonin Shqipërinë e vogël. Ky 28 dhe 29 Nëntor kishin me vete një mundësi të jashtëzakonshme për të parë mes faqeve të historisë se e ardhmja jonë është diçka për të cilën ne mund të besojmë”, ka thënë Rama.

Më herët homazhe në Varrezat e Dëshmorëve bënë edhe kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, si dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Majko, homazhe dëshmorëve të Korçës

“Patriotizmi? Fqinjët të mos tremben. Lirimi i Haradinaj i pritshëm”

Deputeti i PS, Pandeli Majko ka bërë të enjten homazhe për dëshmorët e qytetit të Korçës me rastin e festës 29 Nëntorit.

Në një prononcim për mediat pasi vendosi buqeta me lule dhe mbajti një minutë heshtje, zoti Majko komentoi një seri ngjarjesh që kanë karakterizuar ditët e festave në Shqipëri.

“Ditën e Çlirimit të vendit e kanë pranuar të gjithë”, tha ai, duke ia lënë më pas vendin komentit për pafajësinë e Ramush Haradinajt.

“Vendimi për Haradinaj ishte i pritshëm. Kontributi i tij ka qenë i veçantë”, u shpreh Majko, i cili komentoi edhe mungesat e ministrave grekë e maqedonas në ditën e Pavarësisë. “Nacionalizmi ynë është patriotik, fqinjët të mos tremben”, shtoi Majko. 

Festa “e përçarjes”

29 Nëntori është data zyrtare e festimit të kësaj dite, por klasa politike ndan dy qendrime të kundërta, përkatësisht të djathtët e festojnë çlirimin në të njëjtën ditë me Pavarësinë, ndërsa të majtët respektojnë 29 Nëntorin.

Dje ishte kryeministri Berisha që rreth orës 13:00 vendosi buqeta me lule në monumentin e “Nënës Shqipëri” duke nderuar dëshmorët e luftës nacional-çlirimtare, ndërsa sot dëshmorët e luftës nacional-çlirimtare nderohen nga opozita dhe LSI, që edhe pse pjesë e koalicionit qeverisës, ka respektuar traditën duke përkujtuar 29 Nëntorin.

Presidenti Bujar Nishani prish traditën e vendosur nga ish-presidenti Topi që përgjatë viteve që ndodhej në presidencë, respektonte 28 Nëntorin si Ditë të Çlirimit.

E sikur të mos mjaftonte kjo ndasi, debatit për Ditën e Çlirimit i është bashkuar edhe deklarata e albanologut gjerman, Robert Fischer që deklaroi në një konferencë me akademikët ditët e fundit, se “gjermani i fundit është larguar nga Shqipëria më 4 dhjetor”.(T.Ch)