Lajme Shqip Friday, 27 September 2013 13:11

Deri në 27,500 euro shpërblim mund të marrin ata që do të japin informata që qojnë në zbardhjen e vrasjes së doganierit të EULEX-it Audrius Senavicius.
Këtë e bënë të ditur, prokurorët e EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e EULEX-it, gjatë një konference për media të mbajtur të premten, në pjesën veriore të Mitrovicës.
Pascal Persoons, prokuror i EULEX-it nga Task Forca Mitrovicë në këtë rast bëri të ditur shpërblimin dhe ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me hetuesit.  
“I bëj thirrje personale secilit që ka parë diçka, të thotë diçka. Nëse keni parë diçka të pazakonshme – pavarësisht sa e vogël apo e parëndësishme mendoni që është – ju lutemi ta raportoni atë, ose në policinë vendase ose në EULEX, në numrin e telefoni +381 38 78 6565. Çdo gjë që thoni do të trajtohet në fshehtësi të plotë”, tha Persoons. Ndërsa, kapiteni Nenad Djuriq, drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut sqaroi përfshirjen e Policisë së Kosovës në hetim. 
“Çdo ditë, zyrtarë policorë punojnë drejtpërdrejt me ekipin e EULEX-it… PK ka organizuar pika të kontrollit dhe është duke shkuar nga dera në derë në zonën e vendndodhjes së krimit për të pyetur nëse dikush ka parë ndonjë gjë që mund të lidhet me krimin”, tha Djuriq.