Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 15:33

TIRANË (PLOTESUAR 18 TETOR, 20:00)-Sot greva e urisë së ish-të burgosurve politikë hyri në ditën e 27-të, ndërsa zhvillime të reja po ndodhin në emër të saj. 

Pritet që Gjykata e Tiranës të shpërndajë grevën e urisë pas një vendimi që mori dje duke para parasysh padinë e policisë së kryeqytetit që konstatoi se grevistët kanë kryer vepra penale gjatë kohës së grevës së urisë. 

Dje, policia shoqëroi koordinatorin e grevës, Asllan Patrioti ndërsa vendosi arrestimin e tij nën akuzën mashtrimit. Patrioti, shprehet policia, ka përfituar 700 euro nga një shtetas italian, të cilit i premtoi se do ti gjente automjetin e humbur. ‘Shumën e parave Patrioti e ka përfituar gjatë kohës së grevës”, tha policia. 

Ndërkohë, sot një grup ish-të burgosurish politikë protestuan para Parlamentit kur po zhvillohej seanca e radhës. Ish-të burgosurit i bënë thirrje politikës të ndihmojnë shtresën e personave që kanë kryer burg në vitet e diktaturës duke i dëmshpërblyer.

BODE: SHPËRNDARJA E KËSTIT TË DYTË SIPAS RADHËS
Ora 19: 05 Ministri Bode duke folur me shifra për shpërndarjen e dëmshpërblimit ndaj shtresës së ish-të burgosurve politikë deklaroi se tashmë po vijon shpërndarja e kistiti të dytë sipas radhës. “581 mln lekë për këstin e dytë për ish-të dënuarit politikë. Kush është mbi 65 vjeç ka marrë 864 mln lekë të dëmshpërblimit. Në vitin 2009-2012 fond për likuidim prej 6.5 mld lekësh për këtë shtresë. 305 të pushkatuar pa gjyq, të dënuar me burgim, 10835 persona. 581 mln lekë për këstin e dytë për ish-të dënuarit politikë, ndërkohë vijon shpërndarja e këstit të dytë sipas radhës e rregullit”,- theksoi Bode.

HALIMI DHE BODE INTERPELANCË NË KUVEND
ORA 18:50
Greva ish- të burgosurve politikë është bërë pjesë e debateve në Kuvendin e Shqipërisë, pas kërkesës për interpelancë me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi dhe ministrit të Financave Ridvan Bode.  Ministri Halimi deklaroi se ligji për dëmshpërblimin është miratuar në vitin 2007, ndërkohë që janë depozituar mbi 20 mijë kërkesa për dëmshpërblim dhe ka përfunduar procesi për mbi 11 mijë prej tyre. Halimi theksoi se është shpërndarë kësti i parë për të gjithë ish-të burgosurit politikë, ndërkohë që ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65- vjeç.

“Nga 20 589 kërkesa të cilat janë depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, ka përfunduar procesi për 11 759 kërkesa, të cilat kanë patur të bëjnë me pjesën që janë dënuar me burgim dhe me pjesën e të pushkatuarve pa gjyq. Pra për 11 759 janë zbatuar vendimet e qeverisë për dëmshpërblimet. Të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe sipas informacioneve që më vijnë edhe nga Ministria e Financave të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65-vjec. Ka përfunduar edhe faza e dytë për ata që janë mbi 65-vjec, dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për pjesën tjetër, por tashmë sipas rendit kronologjik të miratimit të kërkesave të tyre”, deklaroi Halimi duke akuzuar PS se gjatë qeverisjes në kohën kur Pandeli Majko ishte kryeministër shpërbleu me qindra milionë lek xhelatët e tyre, Ramiz Alinë, Nexhmie Hoxhën dhe bllokmenët e tjerë hoxhistë të dënuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit

AK, SPAHIU-BERISHËS: DORËHIQU NËSE KE DINJITET
Ora 16:47-
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka shkuar sot të takohet me ish-të përndjekurit grevistë, por nuk është lejuar nga forcat e policisë, që të hyjë në tendën e grevës. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha se po sillet në mënyrë çnjerëzore me këta njerëz, ndërsa i bëri thirrje të japë dorëheqjen. “Berisha po sillet në mënyrë çnjerëzore, është kundër aleancës perëndimore. Diplomatët e huaj i kanë bërë thirrje të dialogojë, po e vënë në provë nëse është burrë shteti apo burracak, dhe nëse është burrë shteti ai duhet të dorëhiqet. Dorëhiqu nëse ke dinjitet”, tha Spahiu.

Ndërsa vendimin e gjykatës për të shpërndarë grevën, Spahiu e cilësoi arbitrar.
“Vendim arbitrar, nuk mundet shteti dhe qeveria të ndalojnë disa njerëz të pinë ujë, të ndalojnë që të vdesin”, tha Spahiu më tej.

HOLTKEMPER APEL QEVERISË: ULUNI NË BISEDIME
Ora 15:45
Prezenca gjermane e akredituar në vendin tonë i është bashkuar thirrjes së ambasadorit të BE-së dhe të SHBA-së në vendin tonë për zgjidhjen e situatës së ish-të përndjekurve politikë. Ambasadorja gjermane Carol Holtkepmer nga qyteti i Pogradeci, i ka bërë apel qeverisë që të ulet në bisedime në mënyrë që të dëgjohet kërkesat e ish-të dënuarve politikë, të cilët kanë vuajtur shumë në diktaturë.

FATMIR LAMAJ RIKTHEHET NË GREVË, NUK LEJOHET TË HYJË NGA POLICIA
Ora 14:50 –
Ish i përndjekuri Fatmir Lamaj tentoi sot të rikthehej në grevën e urisë, por nuk u lejua të futej në çadrën e grevës nga uniformat blu. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se policia nuk e lejon të rifutet në grevë, pasi Fatmir Lamaj ka ardhur pa ambulancë nga spitali. Grevisti Fatmir Lamaj u detyrua të largohej nga greva para 2 ditësh për shkak të problemeve shëndetësore.

TUFA: ARRESTIM POLITIK, KEMI OPOZITË ‘NUL’, ARVIZU NA NDIHMO!
Ora 10:40-Koordinatori i grevës së ish të burgosurve politik, Skënder Tufa duke folur në emër të grevistëve shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e ditës së sotme. Grevistët, tha Tufa shprehin keqardhje për indiferentizmin e shoqërisë shqiptare dhe të opozitës. ‘Mungesa e qytetarëve në vendin e protestës dhe grevës, tregon se politika ndërhyn’,-theksoi Tufa.

Tufa ka bërë edhe njëherë thirrje për dialog. “Ne jemi qytetarë të këtij vendi. Si të barabartë kërkojmë që të ulemi si qytetarë të zgjidhim problemet. Të burgosurit po presin zgjidhje qytetare. Ne ju presim. Ne presim dialogun”- tha ai. Lidhur me opozitën, Tufa tha se më duket se është në bashkëpunim me maxhorancën, pasi duket se ka një akord të mirëfilltë mes tyre. Ku është opozita, njerëzit po vdesin këtu, tha Tufa. “Opozita shqiptare e jonë është nul. Po shohim se ka një akord mes tyre, do bëjnë rrotacion. Ku është kjo opozitë që njerëzit po digjen, njerëzit vrasin veten, shitet atdheu ynë si plackë tregu, duhet të bëhet një plugim politik”.

I pyetur se ai më parë nuk e ka pranuar ndihmën e PS, Tufa u shpjegua në këtë formë : Opozita nuk ka punë në grevën e urisë, greva jonë duhet të quhet ekonomine. PS të përfaqësojë zërin qytetar. Të jetë aktive në zyrat e saj, për ligjet dhe jo këtu në mes të grevës”. Po ashtu ai shprehu keqardhjen edhe për arrestimin e koordinatorit tjetër, Asllan Patrioti, duke thënë se çdo veprim që bëhet me ish të burgosurit në këtë kohë është një veprim politik.  “Merreni pas grevës me Asllan Patriotin, cdo veprim që bëhet gjatë grevës është politik. Kërkoj ndihmën e Arvizu për këtë shkelje qytetare”.

ISH-TË BURGOSURIT PROTESTË PARA PARLAMENTIT: TË ZËVENDËSOJMË GREVISTËT,T’I SHPËTOJMË NGA VDEKJA
Ora 10:40
-Një grup ish-të burgosurish politikë kanë nisur të protestojnë para parlamentit ku po zhvillohet seanca e radhës. Ish-të burgosurit i bënë thirrje politikës të ndihmojnë shtresën e personave që kanë kryer burg në vitet e diktaturës duke i dëmshpërblyer. Protestuesit deklaruan se nuk do të reshtin grevat e urisë, pavarësisht vendimeve të Gjykatës që kërkon shpërndarjen e grevës së urisë së nisur prej 27 ditësh. Ata shprehen se do t’i zëvëndësojnë grevistët për të shpëtuar nga vdekja ata që kanë hyrë prej ditësh në grevën maratonë. Skënder Tufa, koordinatori i vetëm i mbetur në grevën e urisë vlerësoi se gjykata dha një vendim të jashtëligjshëm, porse ndërhyrja e Avokatit të Popullit shpëtoi grevën.

ARRESTOHET KOORDINATORI; MASHTROI NJË SHTETAS ITALIAN
Ora 09:00-Dje, policia shoqëroi koordinatorin e grevës, Asllan Patrioti ndërsa vendosi arrestimin e tij nën akuzën mashtrimit. Patrioti, shprehet policia, ka përfituar 700 euro nga një shtetas italian, të cilit i premtoi se do ti gjente automjetin e humbur. ‘Shumën e parave Patrioti e ka përfituar gjatë kohës së grevës”, tha policia.

Policia e Tiranës arrestoi mbrëmë në kushtet e flagrancës shtetasin Asllan Patrioti, 59 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet se ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 700 euro ndaj shtetasit italian M.N. Siç bënë të ditur burime zyrtare të policisë së Tiranës, në muajin qershor 2012, shtetasi italian M.N denoncoi vjedhjen e automjetit te tij personal, i cili pas pak ditësh u gjet dhe iu kthye pronarit nga strukturat e policisë së komisariatit të policisë Nr.4 Tiranë. ‘Ndërkohë që shtetasi italian prej kohësh, pas gjetjes se automjetit të vjedhur, ishte nën presionin e shtetasit Asllan Patrioti për t’u paguar, pasi pretendonte se kishte ndikuar për gjetjen e automjetit të vjedhur’, tha policia. Arrestimi në kushtet e flagrancës i shtetasit Asllan Patrioti, i cili është edhe koordinator i grevës së urisë të një grupi ish-të përndjekurish politikë në Tiranë, u bë në zbatim të urdhërit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë.

NJE DITE ME PARE ASLLAN PATRIOTI: BERISHA MOS E GEZOFSH DITELINDJEN 
“Berisha ka zaptuar gjykatat dhe prokurorinë. Unë dje e urova kryeministrin për ditëlindjen, por ai na e ktheu përgjigjen tamam. Kthej mbrapsht urimin, mos e gëzofsh. Këta njerëz nuk i ka bërë lopa, nuk janë “zogj kurvash”, janë njerëz që të kanë dhënë votat 22 vjet. Ndryshe do të ketë kufoma, do dalin me gjak, me kufoma, duam dëmshpërblim sipas ligjit. Çfarë të pengon për bisedime, nëse ti tenton me forcë, do kesh probleme. Kjo grevë do të vazhdojë në vend tjetër, kemi gati vendin.”- tha Asllan Patrioti.

Patrioti i ka bërë thirrje edhe njëherë kreut të qeverisë që të ulen në bisedime, pasi me forcë nuk dalin në asnjë mënyrë. Po ashtu, Patrioti kërkoi nga të burgosurit e tjerë politik që të vijnë në mbështetje të tyre, duke theksuar se greva e tyre është ekonomike dhe jo politike. Së fundi, sipas Patriotit, grevistëve u janë ndaluar takimet edhe me familjarët. Duke bërë një krahasim me kohën e vuajtjes së burgut, Patrioti tha se në atë kohë, ai (Enver Hoxha) ka qenë kriminel, pinoçet, të gjitha të zezat por 5-minuteshin me familjarët nuk na e ka ndaluar.

GJERGJ NDRECA RIKTHEHET ME AMBULANCË TEK GREVISTËT
Dje në mbrëmje, pas vendimit të gjykatës së Tiranës për të shpërndarë grevën e ish-të përndjekurve politikë, Gjergj Ndreca, i vetëdjegur pak ditë më parë për kauzën e tyre është rikthyer sot në mbrëmje pranë ambienteve të grevës për të takuar ish-të përndjekurit. Mësohet se Ndreca është rikthyer me ambulancë, ndërsa ka lëshuar thirrjet: “Para Ambasadës Amerikanë do vdesim të gjithë. Greva do të vazhdojë, te Presidenti Nishani nuk kam shpresë”.(LajmeShqip.com)