Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 21:57

Mitrovicë – Pas 24 orësh aksioni, në Pikat 1 dhe 31 tash janë policia kufitare dhe forcat e rregullta të Policisë së Kosovës, kurse janë tërhequr të gjitha forcat speciale, që kryen operacionin njëditor.

Një polic plagosur rëndë, nga një snajper serb, dhe disa të lënduar gjatë ditës, ishte ana e keqe këtij operacioni. Polici i Njësisë Speciale Enver Zymberi, 30-vjeçar, po trajtohet në QKUK, në Prishtinë, me shkallë të lartë të rrezikshmërisë për jetë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë deklaruar deri në këto momente, me stilin e “miratimit në heshtje” të këtij operacioni, kurse përfaqësuesi i UNMIK-ut në veri të Kosovës, Gerard Galluci, bëri me gisht kah SHBA-të, duke thënë se “Qeveria e Kosovës me përkrahjen e SHBA-ve po luan me zjarrin”. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të EULEX-it, në Kosovë, e kanë kundërshtuar operacionin, duke e quajtur të paqëlluar dhe të dëmshëm. Opozita kosovare dhe të gjitha qarqet tjera brenda vendit, e kanë përkrahur unanimisht këtë veprim të Qeverisë së Kosovës.

Më i drejtpërdrejtë në mbështetje ka qenë ambasadori i Francës në Republikën e Kosovës, Jean-Francois Fitou, i cili ka thnë se “vendimin e qeverisë duhet ta respektojmë” dhe se “sovraniteti i Kosovës nuk është çështje e EULEX-it”. Po ashtu, mbështetëse e hapur e aksionit të Qeverisë së Kosovës në veri ka qenë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë, ICO.

Nuk munguan as deklarimet dhe verpimet e udhëheqësve serbë. Ishin të zbehta dhe të pavërjetshme fustrimet e zyrtarëve serbë, në gjithë këtë betejë që dëshmoi për herë të parë dorën e fortë të shtetit të Kosovës, në zonën dhe pikën më të ndjeshme të vendit.

Megjithatë, meritorët më të mëdhenj ishin pjesëtarët e të gjitha njësive të Policisë së Kosovës, që ishin pjesa e parë e frontit dhe “çliruesit” realë të pikave 1 dhe 31 të kufirit verior të vendit. (LajmeShqip.com)