Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 20:17

Tiranë (Plotësuar, 13 Dhjetor, 13:00) Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në zyrën e tij në kryeministri. Mësohet se në shoqërinë e tij ishte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Më pas në kryeministri ka mbërritur dhe Lulzim Basha, kryebashkiak i Tiranës.

Gjendja e kryeministrit në momentin e humbjes së ndjenjave

Mediat se kryeministri ka vijuar me axhendën normale të punës. Në fakt kjo nuk është axhenda normale, pasi Berisha ka anuluar një vizitë në Malin e Zi. Berisha do jetë në zyrën e tij, ku nuk do ketë sforcime apo lodhje.

****************************

Tiranë (Plotësuar, 13 Dhjetor, 12:00)-Kronologjia dhe prapaskenat që shoqëruan përreth 60 minuta, lëvizjet e figurave kryesore të shtetit shqiptarë pas humbjes së ndjenjave të kryeministrit Sali Berisha

Ora 19:00  Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha humbet ndjenjat në foltore menjëherë pas përfundimit të fjalës së mbajtur në pallatin e Kongreseve me rastin e 21 vjetorit të themelimit të PD-së (mjekët do të thonë se është debulesë) …

Ora 19:15  Pasi ka pirë një kafe në ambjentet e Pallatit të Kongreseve, i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha ai ecën me këmbët e tij drejt automjetit zyrtarë që është parkuar në hyrjen anësorë të ndërtesës dhe i drejtohet shtëpisë…

Ora 19:20   Autokolona me kryeministrin Berisha mbërrin në pallatin ku jeton kryeministri (jo shumë larg Pallatit të Kongreseve) …

Ora 19:25   Në apartamentin e kryeministrit Berisha, mbërrin neurokirurgu i njohur shqiptar dhe mik i Berishës, Mentor Petrela …

Ora 19:30  I pari politikan që mbërrin në sheshin para pallatit ku jeton kryeministri Berisha është çuditërisht deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri ( I cili në vitin 1997 mbronte Vlorën bashkë me Zani Çaushin kundër forcave që i shërbenin aso kohe shtetit presidencial të Sali Berishës)…

Ora 19:30  Mbërrin në apartamentin e kryeministrit Berisha, kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli ( e cila menjëherë pas këputjes së kryeministrit garantoi mediat se Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore)…

Ora 19:40   Mbërrin në apartamentin e kryeministrit Berisha, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha…

Ora 19:50  Lideri i opozitës, Edi Rama reagon në Twitter duke i uruar shërim të shpejtë kundërshtarit të tij politik Sali Berisha i cilis sipas tij kishte kaluar një “sëkëlldi”…

Ora 20:00  Këshilli i Ministrave, publikon një deklaratë për shtyp ku thuhet se kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe gjatë javës është kuruar nga një virozë e cila ka sjelljë edhe një debulesë të çastit…

********************************** 

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha ka ndërprerë fjalimin e tij në ceremoninë e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike, pas përjetoi për pak caste një gjëndje të fikëti.

Kryeministri u ndje keq dhe u largua nga podiumi i ndihmuar nga shoqëruesit e tij, për shkak të një luhatjeje tensioni. Ai qëdroi për pak momente prapa skenës dhe më pas la Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga skorta e tij.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD, ka deklaruar se gjendja e të fiktit e kryeministrit ka ardhur si pasojë e një gjendjeje virale, që nuk ka vend për shqetësim.

Para se të ndërpriste fjalimin, kreu i qeverisë ka folur për krijimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si ngjarjen më madhore në vitin 1990.

“Festojmë sot krijimin e partisë së parë pluraliste në Shqipëri. Në vitin 1990 studentët e Tiranës, të udhëhequr nga tribuni Azem Hajdari, do të mblidheshin me një kurajë të pashoq dhe do të gjunjëzonin në rrugë dhe kudo diktaturën komuniste më të egër në Evropë dhe do të themelonin Partinë Demokratike”, deklaroi ai.

Por viti ’90, sipas kryeministrit, nuk është vetëm viti i themelimit të PD, por edhe i lirive dhe të drejtave të njeriut, që sot garantohen me Kushtetutë.

“Ne sot festojmë vitin e mrekullisë së lirive tona, të garantuara në Kushtetutë, si një vend që ka me dhjetra parti parlamentare e jashtëparlamentare”, u shpreh ai.

Kryetari i PD-së theksoi se, sot Shqipëria është një vend i fjalës së lirë, votës së lirë, tolerancës fetare, i respektimit të plotë të të drejtave të minoriteteve, si dhe një shtet ku funksionojnë shteti ligjor e rendi kushtetues.

Më tej kreu i ekzekutivit përmendi një sërë arritjesh të shënuara nga kabineti i djathtë, që sipas tij e kanë futur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian.

“Shqipëria është vendi me të ardhura të mesme më të larta, është vendi me vdekjen foshnjore më të ulët, është vendi ku turizmi në vitet e fundit është 10-fishuar”, tha Berisha.

“Ne qëndrojmë të vendosur, që me reforma të thella të shohim Shqipërinë një vend të zhvilluar e të begatë. Arritjet në fushën e integrimit në vitet e fundit janë meritë e qeverisë së djathtë të Partisë Demokratike”, shtoi ai.

Zyra për shtyp e Kryeministrisë bëri të ditur se shefi i qeverisë u shoqërua në banesën e tij. Edhe mjekët konfirmojnë se gjendja e kryeministrit Berisha është përmirësuar.

 

Njoftimi i Këshillit të Ministrave për gjendjen shëndetësore të kryeministrit

Sot ne mbremje kryeminstri Berisha pati nje gjendje lodhjeje ne perfudim te fjales se tij me rastin e 21 vjetorit te PD.

Pas nje konsulte mjekesore u konstatua nje gjendje lipotimie(debolese), e lidhur  me nje viroze per te cilen kryeministri eshte mjekuar gjate diteve te fundit.

Konsulta mjeksore tregoi parametra normale dhe gjendje te stabilizuar. Kryeminstri Berisha eshte ne gjendje te mire shendetesore dhe para largimit nga pallati I kongreseve konsumoi nje kafe me miq dhe te ftuar. dhe me pas u kthye ne apartamentin e tij.

Kryeministri Berisha shpreh mirenjohje te gjithe anetareve dhe simpatizanteve te PD, miqve dhe te ftuarve ne pervjetorin e krijimit te PD, per interesimin e treguar dhe uron dhe njehere gezuar festen.

Reagimi i Ramës në Twitter…

“Sapo dëgjova për sakëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Të shkuara!”- përfundon në mesazhin e tij Edi Rama