Lajme Shqip Tuesday, 21 January 2014 15:41

Sot shënohet 3-vjetori i ngjarjeve të 21 Janarit të vitit 2011. Partia Socialiste mbajti një ceremoni përkujtimore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kryeministri Edi Rama zbuloi fillimisht pllakat përkujtimore prej bronzi, në nder të katër viktimave Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj.

Përpara nisjes së ceremonisë Rama ka dhënë edhe një mesazh të fortë ndaj sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar një reformë të thellë dhe zbardhjen e plotë të vrasjes së 4 protestuesve.

“Vetë nuk e kam harruar për asnjë çast, që nga dita që kam hipur këto shkallë se nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. S’do ta harrojmë se, ky i yni është një mandati për t’i dhënë kuptim fjalës ‘Drejtësi”. Për të luftuar që drejtësia të bëjë drejtësi. Që e drejta të mos jetë një mall që blihet dhe shitet në dyert e Prokurorisë apo gjykatave. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por një nga gjërat që s`ka ndryshuar për Shqipërinë është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë. Është ferri ku treten shpresat dhe kur përqeshet një Shqipëri e tërë përpara sprovës, mes të drejtës dhe organeve të drejtësisë”, ka theksuar Rama.

Rama në fjalën e tij u shpreh se, kanë ndryshuar shumë gjera nga 21 janari, pasi qeveria e re nuk do të ngjallë më frikë te qytetarët, por do të punojë për ta.  “Kjo godinë nuk është më fasada ku dilnin tytat e armëve për të qëlluare mbi njerëzit në emër të pushtetit të vjetër, por qeveria e zgjedhur nga njerëzit punon me njerëzit dhe për njerëzit. Ky bulevard nuk është kufiri i frikës, dhe qytetarët protestojnë pa frikë. Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari i 2011”.  

 

Ai i cilësoi ngjarjet e 21 Janarit një pushkatim pa gjyq, pa ligj pa mëshirë, në sytë ë një populli të tërë të marrë peng. Sipas Ramës, “ky popull s’është më peng i një votë të vjedhur, i një qeverie të pazgjedhur, i një pushteti që e grabit sa të mundet, që e tradhton si të mundet. Ende s’jemi çfarë meritojnë të jemi, pasi Shqipëria vuan ende varfërinë, papunësinë, borxhet e një qeverie të shkuar. Por, sot Shqipëria as rrezikon të kthehet më aty ky ishte, në 21 janarin e tre viteve më parë, as rrezikon të mbetet aty ku ishte, sot pushteti është kthyer në duart e popullit. Shumë gjëra kanë ndryshuar”, tha kryeministri Rama.

Më pas kryeministri i shoqëruar edhe nga familjarët kanë vendosur lule në 4 pllakat përkujtimore prej bronzi të katër viktimave.   Ndryshe nga vitet e tjera këtë herë bashkë me kryeministrin Rama, veç deputetëve të PS-së dhe familjarëve, në bulevard kanë qenë edhe aleatët e qeverisë, deputetë dhe drejtues të LSI-së. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili theksoi se, duhet të zbardhjet ngjarja e 21 Janarit. “Kemi ardhur për të nderuar viktimat, nuk ndryshuam qëndrim,21 Janari duhet të zbardhet”, u shpreh ai. 

Katër persona janë vrarë gjatë protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë në 21 janar të vitit 2011. Çështja e vrasjes së katër protestuesve, aktualisht po shqyrtohet në gjykatën e Lartë, por asnjë prej përgjegjësve për këtë tragjedi nuk ndodhet aktualisht në burg.

Familjarët: Kërkojmë vepra, jo fjalë

Djali i njërit prej viktimave është shprehur i indinjuar me drejtësinë shqiptare, edhe pse kanë kaluar 3 vite, asnjë përgjegjës nuk është vënë para drejtësisë për vrasjet në protesta. 

Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj i vrarë në protestën e “21 janarit”, pas tre vitesh të vrasjes së babait të tij vazhdon të kërkojë drejtësi dhe fajëson ish-kryeministrin Berisha, i cili i ka mbrojtur personat që vranë katër njerëz të pafajshëm. “Berisha në momentet e fundit, ata njerëz që kanë kryer krimin, i ka mbrojtur tepër mirë, duke i larguar jashtë vendit, ndërkohë që sistemin e gjyqësorit e ka bërë si i ka dashur qefi, prandaj populli shqiptar, ashtu si dhe familja ime nuk ka pse të çuditen, kur për këto vrasje nuk ka asnjë autor”, u shpreh Renato Myrtaj për “A1 Report”.

 Djali i Faik Myrtaj thotë se beson se kryeministri Rama do të punojë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa thekson se tani nuk “do më fjalë, por vepra”.

 “Tani besimi im është vetëm të kryeministri Rama. Është shpejt pasi me tre muaj nuk mund të bëhet gjë për të zbuluar autorët, pasi ai ka marrë një qeveri që ishte komplet në humnerë. Kryeministri është shprehur se kjo do të zbardhet, por boll me fjalë, dua vepra”, vijoi Renato Myrtaj.