Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 15:40

Tiranë – Për afro një orë, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi rrëfeu në gjykatë për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë.

Ndrea Prendi, i cili përballet me akuzën e vrasjes, i tregoi gjykatësit Besnik Hoxha dhe 2 anëtarëve të trupës gjyqësore se Garda kishte marrë informacione se do të sulmoheshin institucionet, Parlamenti dhe Kryeministria.

Një tjetër detaj i rëndësishëm në dëshminë e zotit Prendi ishte fakti se Garda kishte marrë informacione se persona të inkriminuar kishin porositur snajpera në Gjermani dhe do të qëllonin kryeministrin Berisha, në momentin që do të largohej nga Kryeministria për në shtëpinë e tij. 

Ndrea Prendi tha se Garda kishte gjithashtu dyshime se mjeti që tentoi të hynte në kryeministri kishte eksploziv dhe sipas tij, kur makina shpërtheu derën e Kryeministrisë gjendja u agravua.

Në dëshminë e tij, ish-kreu i Gardës deklaroi se në momentin që ra kordoni i policisë ai kontaktoi me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për të rivendosur kordonin, që do të ndihmonte jo pak forcat e Gardës që ishin vendosur në brendësi të godinës së kryeministrisë.

“Armët e zjarrit janë përdorur vetëm në zbatim ligjor të nenit 25 dhe në zbatim të nenit 7 të ligjit mbi përdorimin e armëve të zjarrit. Pasi kanë mbaruar fishekët  manover është qëlluar me fshekë luftarakë në ajër.  Kam qëlluar në ajër edhe me armën time të brezit, por më pas jam goditur dhe kam rënë pa ndjenja.”- deklaroi ish-kreu i Gardës. 

DESHMIA E ARTAN HOXHES
Për informacionet rreth një sulmi të mundshëm ndaj kryeministrit foli pak muaj më parë edhe shefi i Komanduar i Gardës së Republikës, Artan Hoxha, i cili u rrëfye në Gjykatën e Tiranës në procesin gjyqësor ndaj ish-eprorit të tij Ndrea Prendi.

Numri dy i Gardës në kohën kur u zhvillua demonstrata e dhunshme, i tha treshes gjykuese të kryesuar nga Besnik Hoxha, se më 21 janar një orë përpara se të niste protesta e opozitës së Bashkuar, ishin informuar nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, se do të sulmohej eskorta e kryeministrit, kur të largohej drejt shtëpisë.

Policia, sipas Hoxhës, i kishte informuar se një grup prej 300-400 personash, në mesin e të cilëve ndodheshin dhe kontingjentë të krimit do të sulmonin parlamentin, çka i detyroi të merrnin masa të rrepta për ruajtjen e tyre.

Kryegardisti Hoxha rrëfeu dhe për një takim mes ish-shefit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe vetë atij në ambientet e brendshme të godinës së qeverisë.

AKUZAT
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi po përballet me akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj dhe prova më e fortë që ka në duar Prokuroria kundër tij, është akti i ekspertimit të Byrosë Federale të Hetimeve.

Agim Llupo, ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, akuzohet për vrasjet e demonstruesve, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Margarit Kume, shoferi i ish-shefit të Gardës Ndrea Prendi, akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Për të njëjtën akuzë u mor i pandehur dhe Armando Kasaj, specialist i IT në Këshillin e Ministrave, pasi dyshohej se kishte kopjuar dhe më pas fshirë pamjet e serverit qendror të godinës së qeverisë.

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm specialistin e IT-së së Kryeministrisë dhe hodhi poshtë akuzat ndaj tij. Trupi gjykues vlerësoi se Armando Kasaj nuk i kishte fshirë, pamjet ashtu sikurse pretendonte organi i akuzës, duke e shpallur atë të pafajshëm.(LajmeShqip.com)