Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 09:00

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi sot në mbrëmje, se hetimi për ngjarjen e 21 janarit 2011 duhet t’i lihet në dorë sistemit të drejtësisë dhe çdo politizim ekstrem i kësaj ngjarje, jo vetëm humbet seriozitetin e hetimit, por tregon qartë se kjo vazhdon të mbetet një lojë politike që nuk është në interesin e askujt.

I ftuar në një emision televiziv, Meta tha se, ka një përpjekje të segmenteve të caktuara politike për të përkeqësuar imazhin e institucionit të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit. Sipas tij “akuzat e ndërsjellta nuk ndikojnë pozitivisht në procesin e hetimit”.

“Unë nuk mund të pranoj se këto janë vrasje me dashje, sepse nuk e pranoj dot se ka një punonjës Garde, aq më tepër komandant Garde që të vrasë me dashje”, tha Meta.

Ai kërkoi që “ligji të zbatohet me qetësi për ngjarjen e 21 janarit, ndërsa theksoi se është shumë e gabuar që ti konsiderosh këto institucione, si institucione që mbrojnë qeverinë që është në pushtet.

“Garda ka mbrojtur institucionet dhe ka bërë të njëjtën gjë edhe kur kanë qenë socialistët në pushtet. Në këtë rast unë do të ngrija pyetjen se, si do të ishte perceptimi në publik në rast se në 21 janar Garda e Republikës do të ishte tërhequr dhe do të kishte lënë kryeministrinë të merrej nga protestuesit”, tha Meta.

Sipas tij, duhet t’i lihet drejtësisë në dorë hetimi i tragjedisë për humbjen e jetës së 4 qytetarëve të pafajshëm.

 “Kam bindjen më të plotë se askush nga punonjësit e Gardës, deri te komandanti i saj, nuk ka dalë në punë atë ditë për të vrarë njerëz. Ndoshta ata dhe drejtuesit e policisë nuk e kanë menduar një gjë që unë e kisha bindje dhe e shpreha publikisht se, dhuna do të ishte ekstreme”, tha ai. (LajmeShqip.com)