Lajme Shqip Sunday, 23 February 2014 16:41

Njëri nga ish-komandantët e të ashtëquajturve “grupet e zjarrit” në protestën e 21 janarit, emërohet drejtor në kompaninë shtetërore “CEZ Shpërndarje”.

Agron Malaj, mësohet se prej katër ditësh ka marrë këtë detyrë, duke drejtuar CEZ-in, për rajonin e Burrelit, që përfshin pesë rrethe: Mat, Dibër, Bulqizë, Kurbin dhe Mirditë. Vendimi për emërimin e tij në këtë detyrë është marrë nga Administratori i Përgjithshëm i CEZ, Arben Seferi, i cili ka liruar nga kjo detyrë ish-drejtorin, që ishte emëruar nga qeveria aktuale para disa muajsh.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë kësaj kompanie, të cilat thanë për “Shqiptarja.com” se ish-gardisti është emëruar në krye të këtij posti vetëm disa ditë më parë. Agron Malaj në muajin Tetor është larguar nga Garda me një vendim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhe komandantit aktual të Gardës së Republikës Gramoz Sako. Momentalisht vendimi i ministrit është kundërshtuar në gjykatën, ku po zhvillohet një gjyq civil-administrativ për këtë çështje. Malaj ka qënë pjesëmarës në “grupet e zjarit” në 21 janar, ku ka qëlluar me armë zjarri kundër demonstruesve.
 
Detyra në 21 janar
Në protestën e 21 janarit të zhvilluar nga Partia Socialiste para godinës së Kryeministrisë, Agron Malaj ka qënë me detyrë komandant seksioni në grupet e zjarrit. Shpesh herë ai është parë në 21 janar të qëllojë, ndërkohë që, në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Tiranës,  thuhet se Malaj ishte planizuar së bashku me disa persona të tjerë të qëndronin në gadishmëri për të hapur zjarr me armë luftarake.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se ”Një grup me komandant Agron Malaj dhe komandant grupi toger Spartak Zilja, nënoficer Meleq Zaimi dhe persona të tjerë ishin caktuar në gadishmëri për hapjen e zjarrit me armë luftarake, në rast të çarjes së kordonëve të seksionit të dytë, të njësisë së dytë dhe grupit të njësisë speciale nga krahu i djathtë nga hyrja e ministrave, për pengimin e protestuesve në teritorin e Kryeministrisë”
 
Shkarkimi në tetor
Në muajin tetor Agron Malaj është përjashtuar nga rradhët e Gardës së Republikës. Vendimi është marrë nga ministri Tahiri. Ky vendim tashmë është kundërshtuar në gjykatë, ndërkohë që Malaj momentalisht mban postin e drejtorit të “CEZ Shpërndarja” për një nga rajonet veriore të vendit. Malaj ka qënë një nga dëshmitarët e prokurorisë së Tiranës në gjyqin e dy ish të pandehurve Agim Llupo dhe Ndrea Prendi.

Ai ka pohuar në gjykatë se në 21 janar përballur me një turmë agresive dhe vendosjen në kolonë, sipas rregullave, e kishin të pamundur, kjo për shkak të goditjeve nga shumë anë me sende të ndryshme. Sipas Malajt, në momentin kur janë sulmuar, kanë qënë rreth 100 protestues, të cilët në disa momente arritën të hynin dhe brenda territorit të Kryeministrisë. Në dëshminë e tij, Agron Malaj tregon se në fillim kur ka dashur të qëllojë, i është bllokuar arma, dhe s’ka mundur të hapë zjarr në ajër. Malaj sqaron në dëshmi se njësia e tij ka pasur vetëm fishekë luftarakë. Më tej në dëshmi ai pohon se për viktimat e ka mësuar lajmin në radio teksa largohej me makinë nga Kryeministria përnë Gardën e Republikës./shqiptarja/