Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 10:00

Washington- Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Washington, ishte ftuar në Qendrën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare John Hopkins SAIS.

Michael Haltzel, lider i shoqërisë civile ndërkombëtare, në Qendrën e Marrëdhënieve Transatlantike “Johns Hopkins”, bëri një prezantim të karrierës së Bashës, duke nënvizuar se fillimisht ka qenë anëtar i ri në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shoqërinë civile dhe në vitin 1992, vëzhgues në zgjedhjet elektorale të atij viti.

I pyetur për të komentuar mbi ngjarjet e 21 janarit dhe hetimet që kanë nisur në Tiranë, Basha, që në atë kohë ishte ministër i brendshëm, tha se procesi duhet të bazohet në ligj.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të eci në parametrat e shtetit ligjor dhe në këtë kuptim çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji dhe nga nevoja për të ekzekutuar brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në prezantimin e tij, nënvizoi se për të ka qenë një privilegj, të drejtonte disa nga ministritë kyçe në Shqipëri, sikundër ndihej po aq i privilegjuar dhe shumë i motivuar, për t’i shërbyer qytetit të tij, Tiranës dhe bashkëqytetarëve kryeqytetas.

Në një arenë të ndezur debati politik, Basha vendosi të nxjerrë Bashkinë e Tiranës nga konflikti politik dhe ai personalisht t’i dedikohet gjatë 24 orëve problemeve të qytetarëve të Tiranës. Mundësinë për të qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, pasi kishte drejtuar më parë 3 ministri kyçe, Basha e konsideron një tjetër shans.

Problemet e qytetarëve dhe jo konflikti politik janë axhenda e Bashkisë së Tiranës.

Basha iu drejtuan një sërë pyetjesh lidhur me mundësinë e zbatimit të programit të tij, mbështetjen për gratë kryefamiljare dhe personat në nevojë, mundësinë e zhvillimit të Tiranës dhe tërheqjen e investitorëve etj. 

Ai bëri të ditur se buxheti për këtë vit do të jetë buxheti më i lartë, pra buxheti me vlerën më të madhe dhe kjo do të mundësohet duke ulur barrën fiskale, rritjen e bazës së tatimpaguesve, reduktimin e informalitetit. Basha bëri të ditur, se vetëm në muajin gusht u regjistruan 495 biznese të reja në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se asete me vlera të larta do të vihen në përdorim, sikundër projektet strategjike të tilla si: zgjerimi i bulevardit që ndërpritet nga lumi Lana, ndërtimi i dy linjave të Tramit, ndërtimit të një terminali të ri, së bashku me stacionin e autobuzëve urbanë, që do të marrin jetë shumë shpejt.  Rëndësi e madhe, sipas Bashës, do t’i kushtohet transparencës dhe rritjes së kapitalit privat. (LajmeShqip.com)