Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 12:46

TIRANE – Amnistia parlamentare, e cila hyn në fuqi më 28 Nëntor 2012, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, fal tre deputetët e Partisë Socialiste, Tom Doshin, Taulant Ballën e Besnik Barajn, të akuzuar për “21 janarin”.

Tre të zgjedhurit socialistë po hetohen nga Prokuroria e Përgjithshme që prej datës 23 janar 2012 për veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Numri i çështjeve që ndodhen ende në Prokurori, të cilat preken nga amnistia, është i madh, por çështja e 21 janarit është një prej tyre.

Gazeta “Panorama” disponon kopjen e ligjit për amnistinë me gjithë ndryshimet e pësuara në Kuvend, dokument i hartuar pas votimit në seancë. Ky dokument i është dërguar Policisë, gjykatave e Prokurorisë për zbatim pas hyrjes në fuqi më 28 Nëntor.

Më datë 23 janar 2012, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi në konferencë shtypi se atë ditë i ka kërkuar Parlamentit autorizim për hetimin e tre deputetëve të PS (kërkesa për heqjen e imunitetit). Kryeprokurorja përmendi qartë dhe publikisht se ishte e nevojshme që deputetët të hetohen në lidhje me veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e parashikuar si krim në nenin 262 të Kodit Penal. Pikërisht ky nen i Kodit Penal, mes shumë të tjerave, është përjashtuar nga kriteri ndalues i ligjit për amnistinë, i votuar pak ditë më parë në Parlamentin e Shqipërisë. (LajmeShqip.com)