Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 12:10

Provimin me shkrim e kanë kaluar plotë 904, prej 2 mijë pretendentëve që kanë aplikuar për pozitën e gardianit në burgun më të ri në Kosovë, i cili po ndërtohet në Gërdovc

Zyrtarët e Ministrisë  së Drejtësisë në Kosovë,thanë që do të përzgjidhen 140 gardianë përfundimtarë të burgut më modern në Kosovë, sipas tyre për të arritur numrin e saktë të punëtorëve që MD’ja ka planifikuar t’i ketë në këtë burg,  të nëntëqind e katër aplikantët të cilët e kaluan me sukses provimin me shkrim, është përgatitur edhe një fazë e testimit.Testimi fizik.

Kanë mbetur veç edhe pak ditë që ata ta ndërmarrin një hap të tillë. Ministria e Drejtësisë tashmë ka zgjedhur vendin dhe datën se kur ata do të hyjnë në provimin vendimtar.

Zyrtarja për informim në MD, Saranda Salihu,  thotë se faza e testit me shkrim për aplikuesit tashmë ka përfunduar. Lista me emrat e atyre që e kanë kaluar këtë fazë, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë. “Të enjten gjithsej 904 aplikuesit që e kanë kaluar testin me shkrim, do t’i nënshtrohen edhe atij fizik”, ka thënë Salihu për Express.

Sipas saj, secili nga këta do të testohet për aftësitë fizike që ka. Në vrapim, peshëngritje dhe çdo ushtrim tjetër që e mat forcën fizike të tyre. “Derisa të arrihet numri fiks i atyre që do të pranohen. Prej fillimit është bërë e ditur se për pozitën e gardianit janë hapur 140 vende pune”, ka sqaruar Salihu.

“Testit do t’i nënshtrohen aplikuesit të enjten në stadiumin e qytetit, duke filluar nga pra 8 në mëngjes”. Salihu thotë se tek pas dy javësh do të dihet përfundimisht se kush janë ata oficerë korrektues që kanë pas fatin të pranohen në punë. “Besoj se pas dy javësh do të shpallen rezultatet”, tha ajo.

Pas përfundimit të këtij projekti Kosova do të ketë një burg i cili do të jetë i standardeve më të larta botërore, i cili do të ketë kapacitet për mbi 300 të burgosur dhe do të ketë standarde të larta jo vetëm për periudhën e kaluar në burg, por do të ketë edhe shërbime të tjera që është në përputhje me të gjitha nevojat dhe të drejtat e njeriut.

Zyrtarë të UNOPS që janë edhe hartues të projektit kanë deklaruar se ky do të jetë burg modern. Ndërkaq sipas tyre, burgu i ri është shumë më afër Prishtinës, aty ku më së shumti mbahen gjykimet për të akuzuarit që vuajnë dënimin në burg.

“Burgu i ri është 25 kilometra larg qytetit, i cili do të ofrojë qasje shumë më të shpejtë në gjykata dhe më shumë siguri”, thonë ata. Përveç sigurisë sipas UNOPS, burgu i ri i Gërdovcit do të jetë shumë modern dhe i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare. Thonë se të burgosurit aty do të kenë më shumë luks dhe kushte të mira. Madje më të mira sesa në Burgun e Dubravës.

Kjo pasi sipas tyre, në raportin e Këshillit të Europës thuhet se kushtet në atë burg nuk janë fort të mira. “Në burgun e ri do të jenë edhe standardet për telefon, dritë natyrale, sanitari, tualete etj. Krahas pjesëve të sigurimit kompleksi do të përfshijë edhe pjesa për familjarë, dy vend punishte, një dhomë për të sëmurët dhe një për edukim”, sqarojnë zyrtarë të organizatës e cila e zbaton projektin.