Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 15:00

Florim Shatrolli nga grupi anti-terrorizëm në Policinë e Kosovës, ka thënë se janë rreth 20 vajza të përfshira në luftën e ISIS-it, por të cilat sipas tij trajtohen si viktima meqë janë nënshtruar presionit për t’iu bashkuar asaj lufte.

Ai këto fjalë i tha gjatë një tryeze të organizuar në kalanë e qytetit të Vushtrrisë mbi rolin e gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Nga ana tjetër, Donika Hoxha-menaxhere e programit në Qendrën Kosovare të Studimeve të Sigurisë, tha se në bashkëpunim me zyrën e BE-së janë duke zhvilluar një fushatë avokimi në çdo komunë për vetëdijesimin e shoqërisë rreh asaj se çfarë një grua mund të bëjë në parandalimin e kësaj dukurie.

Ndërkaq, Afërdita Mikullovci zëvendësdrejtoreshë e policisë rajonale në Mitrovicën e Jugut tha se policia ka filluar e vetme dhe në mungesën e përkrahjes së institucioneve të tjera luftimin e ekstremizmit.

Ajo njëherësh kërkoi nga nënat shqiptare që të dëshmojnë edhe njëherë rolin e fuqishëm që kanë në shoqëri, duke i identifikuar dhe kontrolluar gjestet e fëmijëve të tyre që do të çonte në parandalimin e tyre në ekstremizëm.

Kurse përfaqësues të ndryshëm nga rinia kosovare pjesëmarrës në këtë tryezë fajin ia kanë lënë institucioneve shtetërore për përfshirjen e të rinjve në grupe terroriste, si shkak i mungesës së kushteve ekonomike dhe perspektivës.