Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 12:33

Tiranë – Pak minuta para nisjes së seancës parlamentare, ish të përndjekurit politikë protestuan para Parlamentit në mbështetje të grevës së urisë që ka mbërritur në ditën e 20-të.

Ata i bënë thirrje qeverisë të mos heshtë pasi akte si ato të Ndrecës dhe Bejkos do të përsëriten. Të përndjekurit i kërkuan Ilir Metës të tërhiqet nga koalicioni qeverisës.

Protestës iu bashkuan aktivistë të Aleancës Kuqezi pavarësisht një debati në radhët e të përndjekurve se protesta nuk duhet të politizohet. Aktivistët e Aleancës të cilët marshuan nga kulla e Sahatit u ndalën para Parlamentit ku dogjën postera e kryeministrit Berisha. Pas përfundimit të protestës ish të përndjekurit u drejtuan tek kolegët e tyre grevistë.   

Arrest shtëpie për Perikli Shqevin

Gjykata e Tiranës vendosi arrest shtëpie për Perikli Shqevin, personin qe i vuri flakën Gjergj Ndreces ditën e hënë në ambientet e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë. Shqevi është paraqitur sot përpara togës së zezë për vlerësimin e masës së sigurisë.

Ai nuk ka pranuar akuzën, ndërkohë që sipas prokurorisë ai i ka vënë flakën Ndrecës, i cili pasi ishte lyer me benzinë nuk kishte mundur të ndizte shkrepësen. Organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie, deri në fund të hetimeve. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur që Shqevi të lirohet nga burgu dhe të lihet në arrest shtëpie, deri në fund të hetimeve.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë ku grevisti Gjergj Ndreca, tentoi të vetëflijohej në shenjë protestë për mungesën e reagimit të qeverisë për zgjidhjen e kërkesave ekonomike të parashtruara nga ish-të burgosurit politikë. Ndreca ka deklaruar në spital se i ka vënë vetes flakën dhe Shqevi është plotësisht i pafajshëm. (LajmeShqip.com)