Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 07:52

Bratislav Trajkoviqi mund të jetë polici më i pasur në Kosovë falë një aktgjykimi të paligjshëm të ish-gjyqtares Olga Janiqijeviç, kundër së cilës është ngritur aktakuzë këtë javë.

Një hektar e 70 arë dhe 16 metra tokë ka arritur t’i pronësojë pesë vjet më parë. Një pjesë të kësaj toke ia ka shitur një biznesmeni shqiptar 448.000,00 euro. E gjithë vlera e tokës që ka përfituar në mënyrë të paligjshme është afro një milion euro.

Trajkoviqi, që është komandant i Stacionit policor në Graçanicë, ka arritur që gjithë këtë sipërfaqe toke ta qesë në emrin e tij duke e regjistruar edhe në kadastër.

Polici i Kosovës është njëri prej përfituesve më të mëdhenj të shpronësimeve të tokave të ndërmarrjes KBI “Kosova Export”. Është i vetmi që një aktgjykim të gjyqtares bashkëkombëse e tij, Olga Janiçijeviq,  ka arritur ta materializojë duke e kthyer tokën në emrin e tij. 14 të tjerët nuk ia kanë dalë për shkak të refuzimit të autoriteteve komunale për t’i njohur vendimet e gjykatave që nuk ishte kompetencë e tyre të merreshin me raste të tilla.