Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 15:20

Tiranë – Të paktën  1440  masa administrative janë marrë nga shërbimet e policisë ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme të normave të qarkullimit rrugor në Tiranë, në 24 orët e  fundit. Në një njoftim për shtyp, Policia e Tiranës bëri të ditur sot se nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullave te Përgjithshme te Policisë vazhdon puna për sensibilizimin e përdoruesve te rrugës lidhur me respektimin e normave ne fushën e qarkullimit rrugor, si dhe ndëshkimin e kundravajtësve.

Sipas policisë, vetëm nga shërbimet e policisë rrugore janë marrë 796 masa ndaj kundravajtesve, ndërsa  janë spostuar me karotrec 35 mjete. Ndërkohë, nga shërbimet e Patrullës se Përgjithshme në Komisariatet e policisë janë marrë  644 masa administrative.

Në total numri i masave të marra ndaj drejtuesve të mjeteve, në këto 24 orët e fundit është, 1440 masa,  me vlere 1 319 500 lekë.

Prej kohësh është vënë në zbatim plani i masave “Për përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së shërbimeve të policisë rrugore e të rendit”, i cili parashikon një bashkëpunim edhe më të frytshëm me Njësinë Rajonale të Qarkullimit Rrugor Tiranë, me Komisariatet e Policisë së Tiranës, për parandalimin e aksidenteve e ngjarjeve të tjera aksidentale në akset rrugore të Tiranës dhe në veçanti në akset rrugore të zonave rurale.

Ndërkohë, është ne funksionim grupi Task-Forcë, i cili përbëhet nga punonjës policie të Njësisë  Rajonale të Qarkullimit Rrugor dhe specialistët në Komisariatet e Policisë Tiranë.