Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 12:42

Reçak – Fshatarët e Reçakut sot kujton të afërmit e tyre të cilët para katërmbëdhjetë viteve u vranë e u masakruan barbarisht nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë dhe pikërisht në këtë ditë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Të nesërmen, në Reçak do të shkojë ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker, për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale.

“T’i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them“, pohoi Walker.

Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai deklaroi se nga ajo që pa, ka ndodhur masakër dhe krim kundër njerëzimit.(LajmeShqip.com)