Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 16:30

Tiranë – Të gjitha prioritetet e Planit të Veprimit të përgatitur nga institucionet shqiptare po diskutohen sot dhe nesër, në seminarin konsultativ dy ditor për 12 rekomandimet e KE-së, që po zhvillohet në Tiranë, me qëllim, përmirësimin e tyre.
Gjatë seminarit të organizuar nga Komisioni Europian dhe Ministria e Integrimit do të analizohen gjithë prioritetet e Planit të Veprimit përmes përmirësimit të tij me sugjerimet e palës komunitare.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu rikonfirmoi në emër të qeverisë, angazhimin dhe përpjekjet serioze të Shqipërisë për një ecuri pozitive dhe të shpejtë në procesin e integrimit .
“Shpresoj që ky takim konsultativ të shërbejë si mënyrë miratimi i një projekti pune dypalësh në përmbushjen e detyrimeve të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Shpresoj gjithashtu që angazhimi të jetë i përbashkët, mazhorancë-opozitë dhe rezultati i matshëm, i përkthyer në respektim të ligjit dhe përmbushje të detyrimeve të diktuara”, tha ministrja.
Ajo shtoi se “vlera e opozitës në këtë proces, është e patjetërsueshme, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë praktik, pasi 5 rekomandimet e para të KE-së flasin për votim në Parlament të ligjeve me 3/5”.
Ndërsa kryesuesi i palës europianë në takim, Stefano Saninno, zv/drejtor i Përgjithshëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, tha se me diskutimet rreth Planit të Veprimit, synohet të shqyrtohet një vizion politik i ndërmarrjeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
‘Nëpërmjet diskutimeve të sotme dhe të nesërme, do të arrijmë të kuptojmë qartësisht dhe të ndjekim së bashku punën teknike që nevojitet për të zbatuar problemet kyçe që kemi identifikuar së bashku”, tha Saninno.
Sipas tij, “ajo që duhet të arrihet gjatë diskutimeve të këtyre dy ditëve, është krijimi i një baze konsensuale të punës së përbashkët për muajt e ardhshëm, pasi përgjegjësia për këtë proces, është jo vetëm e institucioneve të vendit, por edhe e Komisionit Europian për të ndihmuar në identifikimin e elementëve që kanë rëndësi thelbësore për BE-në”.