Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:29

Tiranë – Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto konsideroi sot se “procesi i integrimit të Shqipërisë, zbatimi i 12 priorieteve nuk janë vetëm çështje teknike, por mbi të gjitha janë çështje prioritare kombëtare”.

Haxhinasto mori pjesë sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Füle pas përfundimit të seminarit dy ditor të organizuar nga delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe ministria e Integrimit, për të marrë mendimin e Komisionit Evropian mbi Planin e Veprimit të përgatitur nga Qeveria shqiptare lidhur me prioritetet kyçe të Opinionit të BE-së.

Numri dy i qeverisë shprehu besimin se, “jo vetëm mazhoranca, por edhe opozita do të vazhdojnë të jenë të interesuara për të bashkëpunuar dhe miratur ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë jo vetëm me jetën e përditshme të qytetrëve, por mbi të gjitha, që lidhen me procesin e integrimit të vendit”.

Duke vënë në dukje se procesi i integrimit duhet të ketë një përçasje gjithëpërfshirëse të gjithë forcave politke, shefi i diplomacisë shqiptare shprehu vlerësime për angazhimin dhe mbështetjen e KE-së. “Edhe vetë prezenca dëshmon për ndihmën reale të komunikimit intesiv që kemi me BE-ne dhe në axhendën tonë, integrimi Europian është prioriteti numër një”, tha ai.

“Është e rëndësishme që procesi të zgjerohet dhe të vazhdojë një klimë pozitive, me qëllim që të kuptohet se mënyra se si do të organizohen zgjedhjet e adhshme që do të jenë vendimtare për vazhdimësinë dhe për ritmet e procesit të integrimit të Shqipërisë”, përfundoi zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.