Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të kombit dhe qytetërimit shqiptar është Kongresi i Manastirit, i mbajtur në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit njëzetë, 103 vjet më parë, theksoi sot në një mesazh kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai vlerëson se Kongresi i Manastirit është historik sepse në të u arrit përcaktimi i alfabetit shqip, me germa latine, duke shënuar etapë të re të zhvillimit gjuhësor, komunikimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe.
“Përqafimi i këtij alfabeti nga studiuesit, shkrimtarët, gazetarët, administrata dhe mbarë qytetërimi shqiptar ishte fitore dhe tregues i identitetit të lashtë të kulturës sonë dhe të forcimit të identitetit kombëtar”, thuhet në mesazhin e kryeministrit kosovar.
Ai shprehet se pjesëmarrësve të shquar të Kongresit të Alfabetit edhe sot u jemi mirënjohës për arritjen me të cilën krenohen shqiptarët kudo: në trojet shqiptare dhe gjithandej ku jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë botën e tyre shpirtërore, shkencore dhe kulturore.
“Me germat e alfabetit të Kongresit të Manastirit qytetërimi shqiptar krijon vlera shpirtërore, kultivon, përçon dhe përqafon vlerat më të përparuara të njerëzimit, duke dhënë kontribut në rritjen e lirisë, paqes dhe demokracisë”, përfundon mesazhi i kryeministrit Thaçi.