Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 18:00

Ministri i infrastrukturës Fehmi Mujota, njoftoi se 38 kilometrat e para të autostradës Morinë-Merdar nga dita e nesërme do të jenë të gatshme për qarkullim. Ai theksoi se ndërtimi është bërë sipas standardeve evropiane. Ndërkaq, nga dita e nesërme qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë do të mund të shfrytëzojnë 38 kilometrat e parë të autostradës Morinë-Mërdar.

Ministri i infrastrukturës Fehmi Mujota, vlerësoi se kjo është një arritje e madhe në historinë e ndërtimit të Kosovës dhe se punimet në këtë pjesë rrugore janë bërë sipas standardeve evropiane.

“Kjo pjesë e autostradës fillimisht do të jetë pa pagesë, por pas përfundimit të ndërtimit të plotë të saj, do të vendosen edhe tarifat, në përputhje me përvojat e vendeve të tjera,” tha ministri Mujota.

Ndërtimi i 38 kilometrave të parë pritet ta shkurtojë rrugën në drejtim të Durrësit për 30 minuta. Ndër të tjera, në buxhetin e vitit 2012 për ndërtimin e autostradës janë paraparë rreth 300 milionë euro. Mujota konfirmoi angazhimin e qeverisë për realizimin e tërësishëm të këtij projekti, që sipas tij është në përputhje me objektivat dhe planet e qeverisë.