Lajme Shqip Tuesday, 24 December 2013 22:00

Pothuajse 550 persona që aktualisht mbahen si të dënuar në burgje, pa llogaritur një numër të konsiderueshëm që janë nën shërbim prove, që në total mund të shkojnë rreth 1000 mijë të burgosur, pritet të përfitojnë nga amnistia.

Në amnisti propozohet të përfitojë çdo i dënuar me burg për vepra që parashikojnë deri në dy vjet burg, çdo person që është me dënim alternativ i dënuar deri në dy vite burg, si dhe të pushohet çdo hetim apo procedim penal në prokurori për vepra penale të kryera deri më datën 30 nëntor që parashikojnë dënimin deri në dy vjet burg. 

Për shkak të mbipopullimit, Ministria e Drejtësisë para pak ditësh paralajmëroi amnistinë dhe lirimin e 1000 të burgosurve, të dënuar për vepra të lehta. Siç bën të ditur njoftimi zyrtar nga MD sot, një projektligj mbi amnistinë është dërguar për konsultim pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prokurorisë së Përgjithshme e më pas do kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave.

Personat që përfitojnë amnisti: 

a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

b) personat e dënuar, ndaj të cilëve gjykata, me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

c) personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

ç) personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

d) të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

dh) të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

e) të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të kodit penal.

Personat që nuk përfitojnë amnisti:

Konkretisht, neni 4 parashikon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë;

c) vepra penale, të kryera me dashje kundër shëndetit;

ç) krime seksuale;

d) vepra penale kundër lirisë së personit;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;

f) vepra penale kundër mjedisit; 

g) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;

h) vepra me qëllime terroriste;

i) krime kundër autoritetit të shtetit;

j) vepra me qëllime terroriste;

k) vepra penale kundër drejtësisë;

l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale./shekulli/