Lajme Shqip Tuesday, 27 November 2012 18:19

TIRANE-  Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në vazhdën e shumë mesazheve të urimit me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, sot ka marrë një mesazh mjaft të veçanbtë nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI.

Benedikti XVI shkruan në mesazhin e tij se: “Po ju shkruaj për të shprehur urimet e mia më të përzemërta, me rastin e Festës së Pavarësisë të Republikës së Shqipërisë.

Në këtë rast të rëndësishëm, thuhet më tej në mesazhin e Benediktit XVI, po dërgoj Shumë të Nderuarin Zef Gashi, Prift i Barit, si Përfaqësues të Selisë së Shenjtë, që sjell urimet e mia personale për ju dhe qytetarët tuaj.

“Nëpërmjet tij, jam i kënaqur t’ju përcjell sigurimet e lutjeve të mia që ju dhe qeveria juaj të kërkoni forcimin e paqes, drejtësisë dhe përparimit për vendin. Duke përsëritur, zoti President, urimet e mia, ju dërgoj për ju dhe popullit të vendit tuaj, bekimet më të shumta!”.”- përfundon mesazhi.

Sipas Presidencës, Nishani ka marrë sot mesazhe urimi edhe nga Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano, dhe Guvernatore e Përgjithshme e Australisë, Quentin Bryce.(LajmeShqip.com)