Lajme Shqip Thursday, 13 September 2012 13:09

Tiranë – Duket se shekulli i parë i pavarësisë së vendit e gjen Shqipërinë mbytur me ngërçe politike, ekonomike dhe sociale. Pas debateve të ashpra për “braktisjet”, që futbollistë të talentuar me gjak shqiptari i bëjnë kombëtares së Armand Dukës, radha i vjen një tjetër skandali dhe gafe historike nga Banka e Shqipërisë.

Skandali që TemA po rizbulon sot është paksa i vjetër. U zbulua fillimisht gjatë vitit 1998 nga gazeta “Koha jonë” e vërtetë dhe u premtua se do të korrigjohej menjëherë. Kaluan gati 12 vjet, banka tashmë ka guvernator tjetër, por përsëri kartëmonedha 200 lekëshe përmban të njëjtin gabim gramatiko-historik.

Në njërën anë të kartëmonedhës qëndron i dizajnuar portreti i korifeut të Rilindjes Kombëtare dhe poetit më popullor Naim Frashëri. Në anën tjetër ndodhet shtëpia muze e lindjes së vëllezërve Frashëri në fshatin Frashër të Përmetit dhe një nga strofat më të famshme të poezisë “Bagëti dhe bujqësi”. Këtu qëndron edhe gafa.

Poezia sërish u shkruhet qytetarëve shqiptarë:

“Je Shqipëri më jep nder”…në vend të “Ti Shqipëri më jep nder”.

Kartëmonedha mban firmën e guvernatorit Ardian Fullani, është emetuar dhe rihedhur në qarkullim gjatë vitit 2008.

Ndërkohë akademikët e Fakultetit Histori-Filologji UT, pritet t’i shkruajnë një letër proteste Bankës së Shqipërisë për një tjetër gafë trashanike. Në kartëmonedhën 2000 lekëshe ndodhet një pamje nga qyteti antik i Butrintit dhe poshtë saj është shkruar; AMFITEATRI I BUTRINTIT. Dihet botërisht dhe nga historia,zbulimet dhe arkitektura që Butrinti kurrë nuk ka pasur amfiteatër por TEATËR. Në gjithë literaturën e heritixhit dhe antikitetit botëror dihet tashmë që Teatri i Butrintit me një kapacitet prej 1500 vendesh, u ndërtua në shek IV- III-të para Krishtit. Nëse do flasim për amfiteatër, atëherë le ta dijë banka dhe gjithë stafi i saj. Durrësi dhe jo Butrinti ka pasur amfiteatër.

Kjo është e vetmja kartëmonedhë në botë shkruar me gabime gjuhësore ende në qarkullim. (T.O)