Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 11:14

Tiranë – Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë është mbledhur sot nën drejtimin e kryeministrit Berisha, i cili ka kërkuar që grupe të reja shtesë t’i bashkëngjiten komitetit, për të pasur një festim sa më dinjitoz të këtij përvjetori jubilar.

Ndërkaq Berisha ka vlerësuar angazhimin e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, madje dhe diasporën shqiptare në të katër anët e botës për përfshirje në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa ka vlerësuar dhe debatet e ngritura mbi të vërtetat historike, proces i cili sipas kryeministrit do të mbetet gjithmonë në zhvillim.

“Do përcaktojmë disa rregulla dhe qëndrime, të domosdoshme në kremtimet e 100-vjetorit. Në tërësi është bërë një punë që ka synuar të jetë gjithëpërfshirëse në të gjitha trojet etnike shqiptare. Ka një përpjekje serioze të shqiptarëve në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, por dhe në diasporë për të shënuar 100 -vjetorin e Pavarësisë.

Ka pasur një debat lidhur me disa nga problematikat e këtij 100-vjetori, për shkak të një trashëgimie jo të favorshme të historisë, por në tërësinë e tij gjykoj se debati i ka shërbyer në mënyrë të padiskutueshme nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të ndaluara, të vërtetave historike të mohuara, apo deformuara, debat i cili është në proces dinamik që s`ndalet kurrë. Jemi në një fazë ku kërkohet që grupe të reja ti bashkëngjiten këtij komiteti”, tha Berisha.

Berisha ndër të tjera u ka bërë thirrje dhe qeverive vendore të bashkëpunojnë në kremtimet e 100-vjetorit, ndërsa ka kërkuar prej tyre të nderojnë figurat historike në qytetet që drejtojnë, qoftë me ndërtime bustesh apo forma të tjera alternative.

“Çdo popull shkruan historinë e tij, kështu e kanë shkruar dhe shqiptaret me faqet e ndritura dhe ato në hije. Ftoj të gjitha qeveritë vendore, ka një seri kërkesash dhe unë i mirëkuptoj, por mendoj se është në tagrin dhe nderin e tyre t’i nderojnë përfaqësuesit e tyre në Vlorë, me buste apo alternative të tjera”, theksoi kryeministri.

“Të intensifikojmë aktivitetet dhe të ecim drejt një festimi dinjitoz që më shumë se çdo gjë tjetër duhet të na shërbejë për të parë drejt të ardhmes.

Një bilanc si ky s`mund të ketë qëllim tjetër, veçse vizionin dhe projektimin drejt të ardhmes. Një vit reflektimi i thellë për të ardhmen tone”, përfundoi Berisha.(LajmeShqip.com)