Lajme Shqip Sunday, 13 January 2013 15:18

TIRANË – Policia e Shtetit feston sot 100 vjetorin e krijimit të saj. E krijuar më 13 janar të vitit 1913, pak javë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Policia shqiptare ka përshkruar një rrugë të gjatë, duke u përballur me sfida të mëdha, transformime rrënjësore si në aspektin strukturor e organizativ, ashtu dhe në atë legjislativ e konceptual, për të ardhur në ditët e sotme, si një strukturë e rëndësishme e shtetit, që aplikon filozofinë bashkëkohore të Policimit në Komunitet.

Në këtë përvjetor jubilar, ishin parashikuar për t’u zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat nisën që prej mëngjesit në Shkollën e Policisë, me kujtimin dhe nderimin e heronjve të Policisë, e që vazhduan me kumtesa e takime për historikun e Policisë, sfidat e saj, etj. Me këtë rast, në Tiranë zhvillohet edhe një paradë e trupave elitare të Policisë së Shtetit. 

PRESIDENTI NISHANI I JEP POLICISË SË SHTETIT “URDHRIN E FLAMURIT KOMBËTAR”
Ora: 12:20 – Përpara nisjes së paradës së trupave elitare të Policisë së Shtetit në sheshin “Skënderbej”, Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekoroi Policinë e Shtetit me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”. 

Gjatë fjalës së tij, presidenti Nishani theksoi se ky 100-vjetor duhet të shërbejë si një ditë për të reflektuar mbi sfidat e së ardhmes.
“E ardhmja jonë është padyshim një e ardhme e sigurt dhe e ndritur në familjen europiane. Ndaj në cilësinë e Presidentit të Republikës kërkoj që të rrisni standardet e shërbimit dhe aftësitë profesionale në mbrojtje të jetës dhe pronës qytetare, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut.”- u shpreh presidenti.

Kreu i shtetit shprehu nderimin e tij për policët e rënë në krye të detyrës. “Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit shprehim nderim të thellë dhe kujtojmë sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit, institucioneve, flamurit dhe shteti. Amaneti i tyre është amaneti i kontributit ndaj shtetit dhe ligjit.”- u shpreh presidenti.

BERISHA: NDERIM PËR SUKSESET E SE SHKUARËS, ARRITJET T’I ÇONI PËRPARA
Ora 11:20 – Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar, kryeministri Berisha shprehu nderimin e tij për sukseset e policisë së shtetit në 100 vitet e krijimit, duke theksuar rëndësinë që këto arritje të çohen përpara në interes të kombit shqiptar dhe Shqipërisë.

Ndërsa vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, goditjen e bandave kriminale, kryeministri theksoi se anëtarësimi në NATO nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe seriozitetin e punonjësve të policisë.

“Pa punën tuaj, pa përkushtimin tuaj, pa vendosmërinë tuaj, në luftën kundër bandave dhe grupeve kriminale, të cilat bënin ligjin në porte, aeroporte dhe institucionet e vendit, shqiptarët nuk do ishin dot anëtarë të NATO-s. Me përkushtimin, seriozitetin tuaj, ju përmbushët detyrimet tuaja në procesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Me punën tuaj të shkëlqyer ju bëtë që ai skepticizëm qe ekzistonte ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve për heqjen e vizave të zhdukej. Në procesin zgjedhor ju jeni më të mirët në përmbushjen e detyrimit tuaj ligjor.”- u shpreh Berisha. 

Ndër të tjera, kryeministri Berisha theksoi se sot është dita për tu përulur me nderim për policët që dhanë jetën në krye të detyrës.
“Përulem me nderimin më të madh para qindra e qindra oficerëve, efektivave, inspektorëve, punonjësve të policisë së shtetit që ranë, gjatë këtyre viteve për tu bërë të pavdekshëm në mbrojtje të jetës, pasurisë së qytetarëve shqiptarë. Nderim të madh familjeve të tyre.”- vijoi Berisha. 

NOKA: POLICIA E SHTETIT KA PJEKURINE STANDARTET PËR TË PËRMBUSHUR ME MISIONIN E SAJ
Ora: 11:15 – “Policia e Shtetit, sot në 100-vjetorin e themelimit të saj mbart pjekurin dhe standardet e nevojshme për të përmbushur me sukses misionin e saj, në mbrojtje të komunitetit” – tha Ministri i Brendshëm, Flamur Noka. 

I pranishëm në aktivitetin e organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të policisë së shtetit, në një nga sallat e “Tirana International Hotel”, Noka vlerësoi punën e kryer nga organi i ruajtjes së rendit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore..etj.
Sipas Nokës, “Policia e shtetit me punën e saj bëri të mundur garantimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar jetën e gjithësecilit. Falë punës së policisë së shtetit, theksoi Ministri i Brendshëm, Shqipëria nuk cilësohet më si vend tranzit i drogave të forta dhe tashmë ka hyrë në një etapë të re në luftën kundër krimit të organizuar.”
Duke u përsiatur në korridoret e historisë, Noka theksoi se rrugëtimi i Policisë së Shtetit drejt standardeve më të larta Europiane kaloi nëpër disa etapa. “E krijuar disa javë pas shpalljes së pavarësisë, policia e shtetit nisi punën e saj në një klimë të vështirë dhe pavarësisht kësaj përpjekjet për të realizuar me sukses detyrën ishin maksimale.”, tha Noka.
“Pjesa më e errët e historisë së organit të rendit, tha më tej ai, ishte periudha e diktaturës, ku policia nuk ishte më në shërbim të komuniteit, por ishte armë në duart e diktaturës. Më tej, vijoi Noka, ndryshimi i sistemit bëri të mundur që policia të rikthehej në shërbim të qytetarit dhe në 1995 të nisi fluturimin e saj drejt standardeve europiane, dhe falë kësaj policie, u realizua dhe ëndrra e një shekullore e shqiptarëve për lëvizjen e lirë”, nënvizoi Ministri i Brendshëm. 

Noka, duke sjellë në vëmendjen arritjet e organit të ruajtjes së rendit theksoi se, “Sot policia operon në standardet më të larta, në përputhje me të gjitha normat Europiane në shtetin e së drejtës. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të qenieve njerëzore si dhe në menaxhimin e kufijve, e mbështetur nga teknologjia e fundit kanë bërë, që i kanë dhënë policisë besimin e nevojshme për ta kthyer atë në aleatin më të rëndësishëm të mbrojtjes së jetës së qytetarit.” përfundoi Ministri i Brendshëm Flamur Noka. 

BURGAJ: POLICIA, PARAROJE E LUFTËS KUNDËR KRIMIT
Ora: 11:00 – Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj theksoi se në këtë 100-vjetor, policia është shndërruar në një organizatë e aftë për të prodhuar siguri. Kryepolici siguroi se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë pararojë e luftës kundër krimit.

“Në këtë përvjetor të 100, përulemi me nderim përpara kolegëve tanë, që nder vite dhanë jetën. Ndërsa i kujtojmë me nderim, krenari e dhimbje përshëndes familjet e dëshmorëve të policisë.”- u shpreh Burgaj.

Kreu i Policisë falenderoi “qeverinë dhe partnerët ndërkombëtar për ndihmën e pakursyer”, ndërsa premtoi ecjen me hapa të shpejtë drejt modernizmit të mëtejshëm të policisë në vend.

KUJTOHEN POLICET E RËNË NË KRYE TË DETYRËS
Ora: 10:10 – Me rastin 100-vjetorit të krijimit të Policisë, në shkollën e Formimit të Policëve, u kujtuan ditën e dielë Policët e rënë në detyrë.
Në cermoninë përkujtimore të organizuar nga Policia e Shtetit, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe familjar të policëve të rënë në detyrë kujtuan dhe nderuan të rënit në detyrë, duke vendosur kurora pranë “Memorialit kushtuar policëve që dhanë jetën për jetën”.
Ceremonia e zhvilluar në shkollën e formimit të policëve, ishte aktiviteti i parë i zhvilluar për ditën sotme, në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të policisë së shtetit. 

Policia e Shtetit feston sot100 vjetorin e krijimit të saj. E krijuar më 13 janar të vitit 1913, pak javë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Policia shqiptare ka përshkruar një rrugë të gjatë, duke u përballur me sfida të mëdha, transformime rrënjësore si në aspektin strukturor e organizativ, ashtu dhe në atë legjislativ e konceptual, për të ardhur në ditët e sotme, si një strukturë e rëndësishme e shtetit, që aplikon filozofinë bashkëkohore të Policimit në Komunitet.

HISTORIKU I POLICISE SE SHTETIT
Policia shqiptare, e krijuar më 13 janar të vitit 1913, është ndër institucionet e para të krijuara me një akt të posaçëm të kryeministrit të asaj kohe të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali.

Në qershor të po atij viti u vendos për herë të parë uniforma e rregullt kombëtare e xhandarmërisë. Ndërsa në vitin 1919, për herë të parë u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Qetësisë Publike, si dhe u ngritën 14 zyra të policisë në prefektura e nënprefektura.

Regjimi mbretëror i dha një status të veçantë policisë dhe xhandarmërisë. Në atë kohë u formuan disa polici si, ajo e Sigurisë Publike, Policia Bashkiake, Policia Rurale dhe Policia Kufitare. Fundi i vitit 1944 e gjeti Shqipërinë nën një regjim të ri.

Komunistët vendosën pushtetin e tyre ushtarak në të gjithë vendin. Pas miratimit të statutit të RPSH-së, me ligjin e 9 dhjetorit 1946, Policia Popullore u përcaktua si organ ekzekutiv i administratës shtetërore dhe ishte një prej organeve të diktaturës së proletariatit, e ndërtuar sipas parimeve marksiste – leniniste, të luftës së klasave, vijës së masave, etj.

Përmbysja e sistemit komunist dhe vendosja e sistemit demokratik pas vitit 1991, solli ndryshime të rëndësishme edhe në Polici. Nga prill i vitit 1991 u krijua Ministria e Rendit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Nga viti 1991 e deri më sot, Policia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme përsa i përket strukturës dhe mënyrës së organizimit për parandalimin e krimit, si dhe për t’u ndjerë më afër qytetarëve të saj.

Nga viti 2006 e në vijim me synim për të sjellë ndryshime cilësore në funksionimin e strukturave të Policisë së Shtetit u ideua e realizua një proces i tërë reformimi, i cili synonte krijimin e standardeve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të policisë, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar ndaj komunitetit.

Ky proces u zhvillua jashtë ndikimeve politike në përzgjedhjen e personelit, si dhe me asistencën e misioneve të huaja PAMECA, ICITAP dhe OSBE. Tashmë, përqafimi i filozofisë së policimit në komunitet nga Policia e Shtetit mundëson përfitime të cilat konsiderohen thelbësore si: ndryshim të mendësisë, krijimin e një kulture moderne menaxhimi, ndërtimin e partneritetit, përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e një imazhi në rritje për Policinë e Shtetit, duke e lidhur këtë dhe me krijimin e besimit.(B.W/LajmeShqip.com)