Lajme Shqip Wednesday, 28 November 2012 23:55

TIRANË- Shqipëria feston sot 100-vjet Pavarësi. Atmosferë madhështore nga Vlora historike. Mijëra njerëz nga sheshi i Flamurit panë se si u ngrit për të 100-ën herë ky flamur. Të shtëna topi, fishekzjarre, shtrëngime duarsh, kjo është pamja e Vlorës sot. Madje edhe politika u bë bashkë. Kryeministri Berisha i dha dorën sot në Vlorë kryetarit të opozitës Edi Rama, ndërsa të gjithë bashkë valëvitën të lirë flamurin kuqezi! Politika shqiptare për herë të parë i harroi problemet dhe u bashkua, si për të vënë në vend ëndrrën e Ismail Qemalit!

Më 28 Nëntor të viti 1912 shqiptarët u mblodhën në Vlorë për të shpallur Pavarasinë e që atëherë ka kaluar tashmë një shekull. Sot shqiptarët nga të gjitha trevat janë mbledhur në Vlorë për të kremtuar pikërisht këtë ngjarje, më e rëndësishmja e kombit, është dita që simbolizon bashkimin, prandaj të gjithë sot duhet të përulemi me nder e respekt para flamurit që ringjalli një komb! 

Rreth mesditës ceremonia festive u zhvendos në Tiranë, ku mazhoranca kreu homazhe tek varrezat e Dëshmorëve, për të përkujtuar edhe ditën e Clirimit, ndërsa më pas kryeministri Berisha preu edhe tortën gjigande të Pavarësisë, e cilësuar edhe si torta më e madhe e përgatitur ndonjëherë. Por në kohën që nisi ndarja e saj për qytetarët në shesh pati tension e shtyre, edhe pse kryebashkiaku Basha paralajmëroi se torta është e bollshme, sa për dy sheshe Skënderbej. Madje që në momentet e para një gruaje i ra të fikët dhe u dërgua me urgjencë në spital. Ndersa kreret e shtetit ne mesdite u kthyen ne Tirane, opozita vendosi te vijoje festimet ne Vlore. Berisha shtroi nje dreke per zyrtaret e ftuar me rastin e festes se Pavaresise se Shqiperise. Ne Tirane u realizua dhe parada ushtarake, ndersa eventi u pershendet pervec Kryeministrit Sali Berisha dhe nga Kryeministri i Kosoves, z Hashim Thaci.

AKTIVITETET NE TIRANE
Gjatë ditës, qytetarët që tejmbushën si kurrë më parë rrugët e Tiranës, kanë parë nga afër në rrugën “Murat Toptani”, panairin “Blej Produkte Shqiptare”, kanë shijuar koncerte me këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë dhe popullore. Përpara Galerisë së Arteve, të shumtë kanë qenë ata që kanë vizituar ekspozitën “100 vjet Tirana”, ndërsa aktivitetet në lulishten tek parku “Rinia” i ishin dedikuar tërësisht fëmijëve. Telajo për pikturën me temë, “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime”, koncert për fëmijë, teatër për fëmijë, animatorë, foto-point me personazhe të Pavarësisë ishin disa nga aktivitetet e organizuara, që nga ora 10 e paradites së sotme.

Po kështu tek lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”, Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, Shkolla e Baletit kanë performuar për të rinjtë. Cirku i Tiranës dha shfaqje pranë urës tek rruga, “Ibrahim Rugova”. Në rrugën “Ismail Qemali”, qytetarët patën mundësi të ndiqnin ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit.

Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, qindra qytetarë kanë bërë foto me personazhe historike, ndërsa rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhur me festën, kanë shpërndarë flamurë të vegjël dhe organizuar lojra. Në mesditë, në sheshin “Skënderbej” zbritën parashutistët e “Red Bull”, me flamurin kombëtar. 

NISHANI: T Ë PËRSHTATEMI PËR T’U BËRË TË DENJË PËR FAMILJEN EVROPIANE 
Ora 22:30-
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël gjeografikisht, por me energji të mëdha.

“Gjuha shqipe ndër gjuhët e vjetra që planeti ynë shkruan e flet, kemi rrënjë pellazge dhe histori ilire. Mesjeta jonë është me kontër princër e pashallarë, kemi Gëten tonë, Lasgush Pogradecin, kemi edhe Ismail Kadarenë. Edhe ne kemi të metat tona, grindavecët e sherrxhinjtë. Tani na mbetet të përshtatemi për t’u bërë të denjë për familjen evropiane”.
shtoi më tej Nishani.

JAHJAGA: TË PUNOJMË NË PAQE E HARMONI ME FQINJËT TANË
Ora 22:10-Presidentja e Kosovës në fjalën e saj në këtë pritje theksoi se kombi shqiptar sot është i lirë të realizojë aspiratat e tijh.
“Të punojmë në paqe dhe harmoni me fqinjët tanë”, tha më tej Jahjaga duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Kosovës.

PPE, MARTENS: MAZHORANCA DHE OPOZITA TË PUNOJNË PËR INTEGRIMIN
Ora 22:00-Ceremonia u përshëndet edhe nga, z. Wilfried Martens, Kryetar i Partive Popullore Evropiane i cili në fjalën e tij u bëri apel forcave politike të lenë mënjanë konfliktet dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Martens theksoi se shqiptarët kanë kapërcyer shumë sfida dhe sot më shumë se kurrë meritojnë një të ardhme të shkëlqyer.
“Ky jubile të shërbejë si sfidë për të ardhmen, ju keni potenciale ndaj jam i bindur se ardhmja e Shqipërisë do të jetë brenda BE-së”.
Më tej Martens kërkoi që shqiptarët të mos bien pre e nacionalizmit.
“Kam venë re një fenomen sa vjen ne dukje mbi nacionalizmin. Por ju këshilloj, nuk duhet, Lufta e Dytë Botërore u bë shkak prej nacionalizmit dhe kjo nuk duhet të përsëritet më”.

NISHANI PRITJE NE PALLATIN E BRIGADAVE
Ora 21:40
-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka organizuar një pritje për të gjithë liderët shqiptarë dhe të gjithë të ftuarit me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në ceremoni morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Toplli, Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga si dhe shumë personalitete të shquara nga vendet e tjera që nderuan sot me prezencën e tyre në Shqipëri, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Ceremonia u përshëndet edhe nga, z. Wilfried Martens, Kryetar i Partive Popullore Evropiane

NIS KONCERTI FESTIV NË SHESHIN “NËNË TEREZA”
Ora: 21:30 –
Në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, ka nisur koncerti festiv ku pritet të interpretojë edhe këngëtarja shqiptare, me famë botërore, Rita Ora. Pavarësisht motit të paqendrueshëm dhe shiut që nis hera-herës, qytetarët kanë mbushur sheshin përpara Univeristetit Politeknik. Rita Ora është e ftuar në darkën zyrtare që shtron Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në Pallatin e Brigadave dhe më pas do të performojë për publikun.

SHQIPTARËT NË AMERIKË “PUSHTOJNË” TIME SQUARE
Ora 21:30 – Shqiptarët në Amerikë “pushtuan” sheshin më të rëndësishëm të Nju Jorkut “Times Square”, dhe e kanë veshur atë kuqezi, për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

MOTI I KEQ NË VLORË, NDËRPRITET KONCERTI FESTIV
Ora 20:35 –
Moti favorizoi festën e shqiptarëve gjatë gjithë ditës së sotme në Vlorë, por në mbrëmje shiu i rrëmbyer bëri që festa të shpërngulej nga sheshi i Flamurit, drejt ambienteve të mbyllura. Si pasojë e kohës së keqe, me erë e reshje shiu, koncerti festiv në Vlorë u ndërpre, pasi pati një defekt elektrik në skenën ku do të performonin emra të njohur të muzikës shqiptare.

KONCERTI JUBILAR “RRUGËTIMI I KOMBIT”
Ora: 19:40 –
Në Pallatin e Kongreseve po zhvillohet koncerti jubilar “Rrugëtimi i Kombit”, në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Në skenografinë kuq e zi të Pallatit të Kongreseve, me në qëndër flamurin kombëtar që valvitet, u interpretua i pari Himni Kombëtar e më pas këngë të tjera patriotike, nën dirigjimin orkestral të 100 instrumentistëve nga Zhani Ciko.

TIRANE, PËRUROHET MONUMENTI I PAVARESISE
Ora 18:35
– Kryeministri Berisha përuroi mbrëmjen e sotme Monumentin e Pavarësisë, që është vendosur në “Parkun Rinia”, në kryeqytet. I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishte edhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, i cili shpjegoi se “ky monument frymëzohet nga kulla shqiptare, që gjendet kudo nga veriu në jug, banesa kështjellë e qëndresës sonë heroike.” 

Monumenti, i shpallur fitues nga konkursi ndërkombëtar i Galerisë Kombëtare të Arteve, u realizua në Austri. Vepra është 6.4 metra e lartë dhe rreth 5.5 metra e gjerë, duke përfshirë edhe rrugën pedonale, që do të kalojë nëpër të. 

Monumenti i dy arkitektëve që jetojnë në Gjermani, përbëhet nga dy trupa që përfaqësojnë një kullë të hapur dhe të rrotulluar, ku një pjesë mban tavanin dhe tjetra dyshemenë. Monumenti i 100-vjetorit është prej çeliku, ndërkohë që në anët e jashtme ka panele bronxi, të cilët janë si piramida të thyera herë nga brenda dhe herë nga jashtë, duke mundësuar kështu ndiçimin e brendshëm të monumentit edhe natën. 

Sipas perceptimit të autorëve, vizitori nga trupi i parë krijon idenë e shtypjes, izolimit, ndërsa trupi i dytë është ai që përcjell ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë, ku dyshemeja e të cilës simbolizon themelin mbi të cilin është ngritur liria.

Trupat janë në një kënd 45o nga njëri-tjetri dhe kjo bën që nga kënde të ndryshme monumenti të ketë pamje të ndryshme. Idenë e tyre autorët e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi, ku njëra gjysmë mbas çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në brëndësi të një trupi do të jetë e gdhendur Deklarata e Pavarësisë, kurse në trupin tjetër shqiponja. Bronxi nxihet me kalimin e kohës, ndërkohë që pjesët që mund të preken nga vizitorët nuk do të nxihen dhe kjo mundëson që monumenti të ndryshojë pamje vazhdimisht.

Ndërtimi i këtij monumenti kërkonte teknologji të precizonit të lartë. Kjo lloj infrastrukture në Shqipëri nuk ekziston, ndaj u vendos që ai të realizohej nga një kompani që ka në referencën e tyre punë të ngjashme me metal. Kostot e realizimit të monumentit është rreth 450 mijë euro.

QYTETARËT KTHEHEN PAS FESTIMEVE, RËNDOHET TRAFIKU NË VLORË-LEVAN
Ora 18:00
– Fluks automjetesh në autostradën Vlorë-Levan, pasi qytetarët kthehen nga Vlora, pas festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Policia rrugore e Fierit bën të ditur se për të shmangur radhët e gjata të automjeteve ka shtuar numrin e patrullave përgjatë autostradës, që aktualisht raportohen të jenë 16 të tilla.
Fluksi vijon pothuajse prej 4 orësh, ndërkohë që është shtuar edhe më shumë përgjatë orëve të fundit, për shkak të numrit të madh të qytetarëve që kthehen nga qyteti i Vlorës, pas festimeve.

PËRFUNDON PARADA USHTARAKE, FISHEKZJARRET NDEZIN QIELLIN E TIRANËS
 
Ora: 17:50-
Parada madhështore e ushtrisë u përmbyll mes brohoritjeve të njerëzve e fishekzjarrëve të shumta që ndezën qiellin e Tiranës në këtë mbrëmje festive. Pavarësisht reshjeve të shiut, qytetarët qëndruan në sheshin “Skënderbej” dhe nderuan ushtarakët që parakaluan përpara tyre.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë parakaluar sot në një paradë madhështore me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Bashkë me to janë bashkuar ushtarake nga forca e sigurisë së Kosovës.
Kuadratet me ushtarake nga Forcat e Armatosura tokësore, detare dhe ajrore kanë parakaluar përpara krerëve të shtetit përfshirë Komandantin e Përgjithshëm të Forcave Ushtarake të Shqipërisë, Bujar Nishani dhe te ftuarve te tjere. Kuadrati i parë ishte ai i veteranëve të luftës Antifashiste-nacional Çlirimtare më pas parakaluan flamurtarët e përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s.
Parada e Forcave të Armatosura shqiptare ka vijuar me elitën e Forcave të Armatosura batalionin e trupave komando ose beretat blu të cilët kanë nënshkruar histori si ambasadore të paqes në vendet e trazuara edhe me gjakun e dëshmorit tonë të parë Kapiten Feti Voglit.
Organizatorët e Paradës kanë sjellë një risi të veçantë në këtë paradë ushtarake, pasi në fund të klimit të kuadratave në sheshin ‘Skënderbej’ ka performuar një skenar veprimesh rreshtore me armë dhe koreografi truproja e nderit. Performanca e shkëlqyer me një sinkronizim perfekt ka entuziazmuar mijëra qytetare të pranishëm.

Një detaj interesant dhe mjaft simbolik ishte dhe shpata e drejtuesit të truprojes së nderit e cila ishte 100-vjeçare e vjetër. Në fund kanë qenë mjetet e teknikës luftarake të Forcave të Armatosura. Pas përfundimit të paradës qytetarët kanë parë një spektakel me fishekzajarre shumëngjyrëshe

BERISHA NE PARADEN USHTARAKE: ZOTI E BEKOFTË FLAMURIN E SKËNDERBEUT
Ora 17:10-
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti paradën e 100-vjetorit të pavarësisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë, shefi i qeverisë theksoi se çdo shqiptar është sot zot i kësaj toke.

“Sot, në ditën e 100 vjetorit te lindjes se Shqipërisë së pavarur, unë dua të nderoj qytetarin e thjeshtë shqiptar. Sot, në këtë ditë ti je Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Adem Jashari, je zot i kësaj toke. Kjo është dita jote shqiptar dhe shqiptare e thjeshtë, sepse ti dhe ne kohërat më të vështira u përballe dhe në luftërat e pabarabarta dhe e ngrite Shqipërinë e rrëzuar përdhe. Ju me mundin djersën gjakun tuaj, ndërtuat me thonj, muskuj, qelizë, fabrika, uzina, hidrocentrale, ullishte vreshta dhe bëtë që vendi juaj të ngrihet si feniksi mbi mjerimin e tij.”- u shpreh Berisha. 

Kryeministri theksoi se në këtë ditë nderimi i parë i takon flamurit të shqiptarëve dhe burrit të shquar të kombit shqiptar, Ismail Qemal Vlorës.
“Shqiptare dhe shqiptarë të 100-vjetorit të pavarësisë, ne së bashku kemi nderuar, kemi valëvitur më shumë se kurrë flamurin tonë kombëtar, sepse atij i takon nderimi më i parë. Zoti e bekoftë flamurin e shqiptarëve, flamurin e Skënderbeut. Ne së bashku kemi nderuar të rënët tanë, kryengritjet e mëdha të pavarësisë. Ne kënduam këngë dhe himne, i përjetuam në rrugë e sheshe, buste e shtatore në të katër anët e vendit. Nder përjetë Ismail Qemal Vlorës, burrit të shquar të kombit shqiptar!”- u shpreh kryeministri.

THACI NË PARADËN USHTARAKE: MBANI LART KRENARINË SHQIPTARE, SIGURONI KOMBIN TONË
Ora 17:00-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci përshëndeti nisjen e paradës ushtarake duke u bërë thirrje forcave ushtarake të mbajnë lart krenarinë e kombit shqiptar.

“Mbajeni lart krenarinë e kombit tonë, flamurin tonë, ju jeni krenaria dhe siguria e kombit tonë. Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka forcën e saj të sigurisë, forcën solemne, forcën që është e gatshme të paraqesë paqen kudo në botë. Secili nga ne të ndjehet krenar që Shqipëria të jetë anëtare e NATO-s. Po ashtu shteti i Kosovës do jetë pjesë e NATO-s dhe BE. Dhe së bashku do jemi në NATO dhe BE të bashkuar”

Kreu i qeverisë kosovare iu uroi festën shqiptarëve kudo ndodhen, ndërsa vuri në dukje që ndjehet i gëzuar që po feston në Shqipëri.
“Gëzuar festën e pavarësisë së Shqipërisë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, festën e Flamurit kombëtar, 100 vjetorin e Pavarësisë. Jam i nderuar të festoj me ju 100 vjet pavarësi të Shqipërisë, aq sa jam i nderuar aq ndjehem krenar për aq sa kemi arritur deri më sot”.

NIS PARADA USHTARAKE NË TIRANË
Ora: 16:20
Festimet në Tiranë vijojnë prej mëngjesit të sotëm. Sheshi “Skënderbej” është ende i mbushur me njerëz, ndërsa ka nisur Parada Ushtarake, përpara krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, Kosovës dhe ambasadorëve e diplomatëve të shumtë. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, i cili u këndua njëzëri nga të gjithë qytetarët që ndodhen në shesh, fjalën e mori i pari kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. 

DREKA NË TIRANË, BOJKOTON PS
 
Ora 14:47
Një drekë e organizuar në Hotel Sheraton është mbajtur për nder të personaliteteteve të mëdha të huaja dhe shqiptare me rastine 100 vjetorit të pavarësisë. Kreu i qeverisë, Sali Berisha në fjalën hapësë falënderoi miqtë e ftuar për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në momentet më të vështira. 

“Është nder i madh t’ju përshëndes në këtë ditë të vecantë për kombin shqiptar dhe të shpreh mirënjohjen timë të thellë ndaj jush që na keni nderuar kaq shumë me ardhjen tuaj. Sot ne festojmë 100 vjetorin e pavarësisë, e cila ka qenë një ndër lindjet më të vështira të kontinentit. Lindja e shteti shqiptar të pavarur ishte një nga lindjet më të vështira. 100 vjet më parë ku Ismail Qemali dhe burra të tjerë të shquar të kombit shpallën pavarësinë e Shqipërisë, kombi u përball me aleanca që synon copëtimin përfundimtar të trojeve të tij. Më pas u përball me luftra dhe një ndër diktaturat më të egra. Historia 100 vjecare e shqiptarëve në një mënyrë apo në një tjetër riprodhon historinë e tyre mijëra vjecare. Por, kombi im ka patur mbështetjen e shteteve tuaja” u shpreh Berisha. 

Si mikpritës i kësaj feste, kryeministri Berisha ngriti një dolli për nder të miqësisë së shteteve të huaja me Shqipërinë. “Ngre këtë shëndet për ju për një miqësi dhe bashkëpunim me kombin tim”, tha Berisha, i cili kishte në krah homologun hungarez, ndërsa në krahun tjetër kishte presidentin shqiptar, Bujar Nishani.

NJË GRUA NDIHET KEQ, TENSION NË SHESH

Ora 14:31-Një grua është djerë keq pasi për shkak të turmës të madhe në sheshin ëe Tiranës. Pas prerjes së tortës nga kryebashkiaku Basha, policia i ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë. Dy forca polici kanë marrë gruan për të shoqëruar në spital.

SHQYHET TORTA E PAVARESISE
Ora 15:00
-Torta e Pavarësisë shqyhet nga qindra duar njerëzisht të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të ëmbëlsirës me rastin e festës kombëtare.

BERISHA: GËZUAR PAVARËSINË TË BASHKUAR
Ora 14:20
Kryeministri Berisha gjatë fjalës përshëndetëse uroi shqiptarët kudo që ndodhen festën e Flamurit të bashkuar dhe në gëzim.

“Qytetarë dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë, Predhevës Malit të Zi dhe shqiptarë kudo që jeni gëzuar 28 Nëntorin ditën e lidjes së Shqiëprisë së pavarur, 1 mijë vjet të tjera të bashkuar në shpresë dhe gëzim”,- uroi Berisha. 

BASHA: TORTA MË E MADHE NË BOTË

Ora 14:18-Para prerjes së tortës gjigande, kryebashkiaku Basha se torta e përgatitur nga 200 pastiçierë është më e madhja në botë.
“Ky është momenti i prerjes së tortës më gjigande që është ndërtuar dhe përgatitur deri më sot në botë. Falenderojmë mbi 200 pasticierë për këtë tortë 550 metra katrorë dhe që peshon mbi 18 mijë kilogramë. Ka mjaftueshëm tortë sa për dy sheshe Skënderbej”, tha Basha.

PRITET TORTA NË TIRANË

Ora 14:14
Kryeministri i vendit Sali Berisha, i bashkëshoqëruar nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaci dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryetari i Bashkisës Lulzim Basha dhe shumë personalitete të tjera shqiptare dhe kosovare mbërritën në qendrën e kryeqytetit shqiptar në rreth orës 14:14. Kryebashkiaku Basha presë tortën gjigande me kryeministrin Berisha dhe presidentetn Jahjaga. 

25 MIJË SHQIPTARË TË MAQEDONISË NË SHQIPËRI
Ora 13:44
Rreth 25 mijë shqiptarë të Maqedonisë kanë kaluar në 24 orë kufirin drejt Shqipërisë. Shqiptaro-maqedonasit kanë kaluar në pikën kufitare të Qafë Thanës për tju bashkangjitur festimeve në Vlorë dhe Tiranë.
Burime kufitare bëjnë me dije se kanë kaluar rreth 3 mijë automjete, 101 autobusë dhe 51 furgona.

BERISHA: LAVDI TË RËNËVE TË KOMBIT
Ora 13:39 Pas ceremonisë së homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, kryeministri Berisha komentoi shkurt se sot është dita kur nderohen të gjithë të rënët e kombit.
“Nderimi i parë i përket flamurit kombëtar, dhe nderit të kombit që prehin shpirtrat e tyre në këtë altar të përjetshëm. Sakrifica e tyre qëndron në themel të pavarësisë së kombit tonë. Lavdi të rënëve për Atdheun”, tha Berisha.

MAZHORANCA PËRKUJTON SOT EDHE DITËN E CLIRIMIT
 
Ora 13:23 Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, mazhoranca përkujton sot edhe ditën e Çlirimit. Është kryeparlamentarja Topalli ajo që vendosi e para kurorën me lule dhe u përkul përpara monumentit “Nënë Shqipëri”. Pas saj nderoi edhe kryeministri Sali Berisha. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga si dhe kryeministri Hashim Thaci. Nderime në monumentin “Nënë Shqipëri” kreu edhe kryebashkiaku Lulëzim Basha, e disa ministra të kabinetit. 

ËSHTË GATI TORTA E PAVARËSISË, MË E MADHJA E TË GJITHA KOHËRAVE
 
Ora 12:50
Torta e Pavarësisë është tashmë gati, ajo pret vetëm kryeministrin Sali Berisha, i cili mësohet se do jetë edhe personi që do presë këtë tortë.

Pamja e saj është fantastike, e gjitha e kuqe dhe me simbolin e flamurit kuqezi në mes. Ka një kosto prej 130 milionë lekësh, ndërsa pritet të ndahet në më shumë se 120 mijë porcionesh.

SHEHU: POLICIA TË GJITHA MASAT PËR REND DHE QETËSI
Ora 12:30
Lorenc Shehu, shef i sektorit të rendit dhe sigurisë publike në Policinë e Tiranës ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë e rendit.
“Kemi struktura te përforcuara të policisë me gatishmëri të plotë. Të gjithë komisariatet e kryeqytetit në gatishmëri të plotë. Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve për rrugët e bllokuara. Deri në këto momente situata e qetë, nuk ka pasur asnjë problem”, tha ai. 

FESTA, POLICIA: DEVIJOHET LËVIZJA E AUTOMJETEVE NË HYRJE TË TIRANËS
Ora 12:15 Rruga e Elbasanit Sauk–Pallati i Brigadave nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve por të do të bëhet devijimi i qarkullimit rrugor nga Qëndra Tregëtare Teg–Rruga Komuna e Parisit për të hyrë më pas në Tiranë.

Do të bllokohet totalisht lëvizja e mjeteve në Bulevardin Zogu i I ; Rruga Ded Gjon Luli ; Front Urani ; Nuk do të lejohen të hyjnë dhe të qarkullojnë në Tiranë, autobusët interurbanë, por duhet të parkohen në pallatin Asllan Rusi ; Fusha e Zezë në Kombinat; Fusha në Qytetin Studenti, përgjatë Unazës së madhe.

Në kuadër të këtyre masave nga Bashkia e Tiranës do të organizohen një sërë aktivitetesh si dhe përgjatë “Sheshit Skënderbej”, do të zhvillohet Parada Ushtarake në segmentin rrugor Sheshi Rilindja, përgjatë rrugës së “Durrësit” deri tek sheshi “Skënderbej” në intervelin kohor ora 10.00 deri në orën 18.00.

Nga ora 18.00 deri ne 22.00 do behet bllokimi i lëvizjes së mjeteve dhe nuk do lejohet parkimi i mjeteve në segmentin rrugor nga kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri” (nga Ura e Madhe e Lanës) deri tek sheshi “Nënë Tereza” (për koncertin përmbyllës në sheshin “Nënë Tereza).

EMIGRANTJA QË TRASHËGON FLAMURIN 100 VJECAR
Ora 11:37
– Një surprizë e kësaj ekspozite ishte edhe një flamur 100 vjeçar, që një emigrante shqiptare në Athinë e kishte të trashëguar në breza. Duke rrëfyer historinë ajo tha: “Mbaj në duart e mia një flamur 100 vjeçar. Ky flamur në vitin 1912 u mor me vete nga një emigrant i rrethit të Vlorës që shkoi në Aleksandri të Egjiptit, ai e mbajti në murin e shtëpisë së tij për vite me radhë. Pas vdekjes së plakut të mirë ia dhuroi të birit që quhej Petro, e ai të bijës që jeton në Athinë. Unë do ua trashëgoj fëmijëve të mi dhe ndjehem krenare për të”.

PS CEL EKSPOZITËN E FLAMUJVE NË VLORË, RAMA: SHQIPËRIA E BASHKUAR ËSHTË E MUNDUR
Ora 11:15
Partia Socialiste ka celur mesditën e sotme ekspozitën e flamujve në në teatrin ‘Petro Marko’ të Vlorës. Artan Lame gjatë fjalës së tij bëri theksoi peripecitë që i është dashur ekspozitës të kalojë në shumë vende nga Kosova në Serbi dhe diasporë. 

Kreu i PS-së Edi Rama gjatë fjalës së tij përshëndetëse, vlerësoi 100 vjetorin e Pavërësisë si moment historik që sipas tij do shërbejë si moment reflektimi për të ardhmen .

“Për ne 100 vjetori është moment historik i jashtëzakonshëm, por dhe një mundësi për të parë të ardhmen përmes së shkuarës. Përmes vizionit dhe shembujve të mëdha të një historie 100 vjecare, që na shërben për të besuar se një Shqipëri ndryshe është e mundur. Një Shqipëri e shqiptarëve pa kufi është e mundur. Gëzuar 100 vjetorin e Pavarësinë Shqipëri”, uroi Rama.

Duke iu rikthyer debatit të festimeve Rama shprehu mirënjohje për kryebashkiakun e Vlorës dhe vlonjatët për organizimin madhështor në kushtet e vështirësive të mëdha.

GJIROKASTËR, PERKUJTOHET DITA E PAVARËSISË
Ora 11:17- Me rastin e 28 nëntorit, 100- vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, përfaqësues të pushtetit lokal, të institucioneve shtetërore, banorë të Gjirokastrës etj, kanë bërë paraditen e sotme homazhe dhe kanë vendosur në monumentin e Heroit të Popullit, Cerciz Topulli, tufa dhe kurora me lule. Pranë këtij monumenti të kthyer në simbol për qytetin, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule prefektja e qarkut, Mimoza Como, nënkryetarja e bashkisë së qytetit, Vito Muco, drejtues të këshillit të qarkut etj. Homazhe në monumente të figurave historike që kanë luftuar për pavarësinë e vendit janë zhvilluar edhe në qytetet e Tepelenës, Përmetit etj. Edhe dita e sotme në rajonin jugor është e mbushur me aktivitete të larmishme në përkujtim të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. 

MARSHIMTARËT E GJILANIT I DORËZOJNË NISHANIT FLAMURIN KUQ E ZI
Ora 10:57- Marshimtarët e nisur nga Gjilani me këmbë mbërritën sot në Vlorë dhe i dhuruan Presidentit të Republikës Bujar Nishanit flamurin kuqezi. Njëri prej tyre deklaroi se erdhën në Vlorë për të vënë në vend amanetin e etërve të tyre. “Prumë deri këtu amanetin e dëshmorëve që dhanë jetën për këtë ditë. Uroj që nga sot të jemi të gjithë të bashkuar”, tha ai. 

NISHANI: SOT SHQIPËRIA ME ËNDRRA DHE SHPRESA PËR TË ARDHMEN
Ora 10:35
Kreu i shtetit Bujar Nishani e vlerësoi ditën e Flamurit si ngjarjen më të bukur për Shqipërinë. “Ditëlindja e 100 e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombas kudo ku jeton në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë sot e festojmë të bashkuar, të lirë të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi”, tha Nishani.

Presidenti Nishani duke përmendur peripecitë që i është dashur të kalojë flamuri kombëtar përballë rreziqeve të shumta që iu kanosën theksoi se pavarësisht se përpjekjeve për të shuar dhe lënë në harresë shqiptarët mbrojtën me gjak shenjën e tyre bashkuese, flamurin.
“Shenja jonë bashkuese ky flamur, të cilin jemi mbledhur ta nderojmë ka bërë një rrugë të gjatë, kësaj rruge ja kemi arritur që të mos ndahemi nga flamuri ynë dhe t’i dalim zot, na e kanë rrëmbyer dhe ja kemi marrë përsëri dhe është bërë më i dashur. Kanë provuar të na e çjerrin dhe grisin dhe si kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin duke u përpjekur të na bindin ta harrojmë, por ne e kemi nxjerrë përsëri nga hiri i harresës. Janë përpjekur ta ndryshojnë, por nuk kanë mundur. Dhe ja tek e kemi sot duke u valëvitur. Historia e vendit tonë dëshmon qartë për gjakun e derdhur dhe mundin e drejtësisë”, u shpreh Nishani. 

Pas 100 vitesh tha kreu i shteti Shqipëria nderon 40 firmëtarët dhe arkitektin e Pavarëisë, pa turpin e fshehjes së të vërtetave historike.

“Ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na falën dinjitet kombëtar dhe krenarinë e të qënit shqiptar. Sot 100 vjet më vonë njohim të gjithë emrat e firmëtarëve të aktit të Pavarësisë, pa turpin e fshehjes së një pejsë të tyre. Janë 40 patriotë që firmosën aktin e shpalljes së rrugëtimit të lirë të Pavarësisë. Është nder për ne të vlerësojmë rrugën e madhe të atyre. Sot kemi me çfarë të krenohemi, nuk është vend me dokumente të falsifikuara. Ne sot nderojmë Ismail Qemalin dhe çdo dëshmor që dha jetën e tij për Shqipërinë. Në këtë 100- vjetor të lavdishëm të zgjimit tonë përulemi thellë para tyre duke respektuar sakrificat sublime. Përpjekjen e mijërave martirëve. Një vend i vogël si Shqipëria pre i shovinistëve lakmitar nuk u rrëzua, dhe ushqeu me gjak qëndresën për liri dhe shpresën për pavarësi”, theksoi Nishani. 

Presidenti Nishani nënvizoi se Shqipëria e sotme ka ëndrra të mëdha për të ardhmen dhe shqiptarët janë të pandarë si trupi me shpirtin teksa uroi Pavarësinë, shqiptarëve në çdo cep të Botës. 

“Sot kemi ëndrra të mëdha, Shqipëria e sotme dhe e nesërmja si krijesa të zjarrta ballkanike, ne shqiptarët nuk mund të ekzistojmë ndryshe vetëm në simbiozë me flamurin tonë. Si të tillë ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të padashëm si toka dhe qielli, si trupi dhe shpirti jemi një me flamurin dhe të gjithë bashkë. Ta vijojmë ta mbajmë të pastër dhe të paprekur flamurin tonë dhe simbolin tonë të shejtë ashtu siç dielli ndrin dhe mbron tokën, na ndrin na bashkon dhe shpirtrat na i ngroh. Si president i një vendi të lirë dhe demokratik më shumë se kurrë pranë familjes evropiane u uroj gëzuar Pavarësinë të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo ku janë në botë që kanë shijuar vitin e madh të lirë kur u shemb muri i diktaturës”, tha Nishani.

VLORË, GJIKA: BASHKIM NË TË GJITHA DIMENSIONET
Ora 10:29- Fjalën e parë pas ngritjes së flamurit dhe homazheve tek varri i Ismail Qemalit, e mori kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.
“Ja tek erdhëm sot në këtë ditë fatlume, të bekuar. I gjithë kombi i ka kthyer sytë nga qyteti ynë i bukur tek ky shesh i bekuar që mban emrin e bekuar ‘Sheshi i Flamurit’”, tha Gjika.

Kreu i Bashkisë së Vlorës përshëndeti nga Sheshi i Flamurit të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe kudo që festojnë sot.
“Përshëndetja e parë shkon për gjithë shqiptarët e mirë e të ndershëm që ndërmorën nisma nga më të veçantat e që sot janë vetë këtu, që u nisën me çdo mjet nga çdo trevë, drejt Vlorës qytetit historik të shqiptarëve. Kanë ardhur sot nga Tetova, Dibra, Ulqini, Mitrovica nga Çamëria, veriu e jugu është zënë sot dorë përdore. Jemi të gjithë pjesë e kësaj feste të ndritur, përshëndesim të gjithë ata që s’mundën të ishin sot këtu, por që kudo që janë festuan e do festojnë shqiptarçe”, tha Gjika.

Sipas tij, sot është dita për të nderuar të gjithë ata njerëz që na e dhuruan këtë ditë 100 vite më parë. Nga Vlora ai lëshoi mesazhin e bashkimit mes shqiptarëve në të gjitha dimensionet.
“28 nëntori 1912 është për të gjithë ne shqiptarët pasqyra ku ne duhet dhe mund të shohim veten tonë, vizionet e baballarëve të kombit tonë. Sot shënohet mbyllja e 100 viteve të parë për të nisur një shekull të ri. Ky shekull historie që sot mbyllet ka pasur pak nga ajo që e kemi dashur shumë, lirinë. Le të na shërbejë që të celim dyert e së nesërmes. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur. Bashkim vëllazëror në të gjithë dimensionet, bashkim kombëtar si një proces të pakthyeshëm. Shembull dhe model i këtij bashkimi është ajo që po ndodh sot, e Vlora ndjehet krenare se e mbajti të ndezur këtë frymë krenarie”, shtoi ai.

KORÇË NGRIHET FLAMURI
Ora 10:29-
Kreu i Bashkisë së Korcës Niko Peleshi ngriti Flamurin e Pavarësisë në qytetin e Korcës. Mijëra qytetarë korcarë kanë mbushur sheshin kryesor të qytetit juglindor. 

NISHANI DHE GJIKA PRESIN TORTËN
Ora 10:21-
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika prenë bashkë super tortën simbolike të festës së Flamurit kombëtar e përgatitur me rastin e 28 Nëntorit. 

Torta ka tri simbolet kryesore të qytetit të Vlorës flamurin, i cili do të jetë mbi 5 metra, Ismail Qemalin dhe Sheshin e Flamurit.

Dy bustet u derdhen në çokollatë, ndërsa torta ka shijen e luleshtrydhes dhe çokollatës dhe është e gjatë 12 metra. 

HOMAZHE NË MONUMENTIN E PAVARËSISË DHE VARRIN E ISMAIL QEMALIT
Ora 10:15-
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në Sheshin e Flamurit në Vlorë, autoritetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama etj, zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule sipas ceremonialit zyrtar të përcaktuar nga protokolli i shtetit.

Me mijëra shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare kanë mbushur Sheshin e Flamurit në Vlorë ku po zhvillohet ceremonia zyrtare që shënon edhe nisjen e kremtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

NGRIHET FLAMURI NË VLORË
Ora 10:05
Shqipëri Gëzuar ditëlindjen, pas 100 vjetesh ngrihet flamuri në Vlorë. Ngritja e Flamurit kombëtar kuq e zi me shqiponjën dykrenore është shoqëruar me të shtëna topi dhe mes brohoritjeve të mijëra shqiptarëve të cilët kanë mbushur sheshin e Flamurit në Vlorë. 

Pas ngritjes së flamurit nga Presidentii Bujar Nishani i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, personalitetet të larta nga Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. 

Në varrin e burrit të shtetit vendosën kurora me lule autoritete të larta, që nga Presidentja e Kosovës, Jahjaga, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministi Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, kreu i PS-se, Edi Rama, dhe me radhe ministrat e kabineteve qeveritare. 

 

TAKOHEN RAMA ME BERISHËN
Ora 10:03 Qyteti i Flamurit ka mbashkaur në këtë 100 vjetor politikën shqiptare.

Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama me një shtrëngim duarsh i kanë uruar njëri-tjetrit Pavarësinë. Politika shqiptare për herë të parë i harroi problemet dhe u bashkua, si për të vënë në vend ëndrrën e Ismail Qemalit!

KRYEMINISTRI MBËRRIN NË VLORË
Ora 10:00
Kryeministri i vendit Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, përfaqësues të PD-së dhe bashkë me to Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topall mbërriti në Vlorë paraditen e sotme.

VLORË, MBËRRIN KOKA E ‘ISMAIL QEMALIT’
Ora 09:52 –
Teksa ende nuk ka nisur ceremonia zyrtare në Vlorë, një element shumë I bukur I festës është edhe mbërritja e një busti me kokën e Ismail Qemalit, që transportohej me një karrocë. Nuk dihet ende se ku do të vendoset ky bust. Mësohet se është sjellë nga disa tregtarë me origjinë nga Skrpari, dhuratë për ditën e Pavarësisë!

PERSONALITETE SHQIPTARE DHE KOSOVARE NË VLORË
Ora 09:51
Vlora në festë, mbërrijnë personalitetet nga Shqipëria, Kosova. Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Bexhet Pacolli kanë shkuar mëngjesin e sotëm në Vlorë për të marrë pjesë në festimet e Pavarësisë. Ndërkohë që forca të shumta politike shqiptare ndodhen atje tashmë. Kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

FRD NË VLORË
Ora 09:46 Kreu i FRD-së Bamir Topi, njëherësh ish- kryeministër i Shqipërisë, mbërrriti mëngjesin e sotëm në Vlorë.

PS MBËRRIN NË VLORË, NË KRYE RAMA
Ora 09:45-
Kreu i Partisë Socialiste i shoqëruar nga zonja e tij Linda Rama dhe deputetë të tjerë socialistë ka mbërritur në Vlorë paraditen e sotme rreth orës 9:45 për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e 100 vjetorin e Pavarësisë.

VLORË, TOTOZANI: UROJ 100 VITE ME DEMOKRACI MË TË MIRË
Ora 09:35- Avokati i Popullit Igli Totozani i ndodhur në Vlorë për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë u shpreh: “Sot është një nga ditët më të bukura të jetë sime që jam këtu dhe festoj me gjithë qytetarët e Vlorës. Uroj 100 vite më të mira, kulturë më të mirë, demokraci më të mirë. Jemi vëllezër dhe nuk kemi çfarë ndajmë me njëri tjetrin”, tha ai.

PERSONALITETE TË HUAJA MBËRRIJNË NË TIRANË
Ora 09:30-
 Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli, kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Zoti Gianfranco Fini, Kryetar i Dhomes se Deputeteve të Italisë, Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Eduard Kukan, President i Delegacionit Nderparlamentar per Europen Juglindore në Parlamentin Europian.

Po ashtu edhe Fritz Neugebauer, President i Dyte i Parlamentit të Austrisë, Michel Berson, Kryetar i Grupit te Miqesise ne Senatin francez, Jerzy Wenderlich, Nen Kryetar i Parlamentit të Polonisë, Georgi Pirinski, Nën Kryetar i Parlamentit të Bullgarisë, Mohammed Abbou, Nën Kryetar i Parlamentit të Morokut, si edhe parlamentarë e senatorë nga Pakistani, Jordania etj.

PREFEKTI I VLORËS: DUHET TË JEMI TË BASHKUAR
Ora 09:21-
Prefekti i Vlorës, Eduart Velçani në një pronocim për TV News24, duke uruar nga sheshi i Flamurit pavarësinë gjithë shqiptarëve bëri thirrje për bashkim.

“Edhe 100 vite të tjera. Një Shqipëri më të bukur, të bashkuar sic jemi në shesh të jemi dhe në vitet e tjera. Kemi patur rol koordinues të aktiviteteve. Shqiptarët të ardhur nga mbarë diaspora i kanë dhënë qyteti një atmosferë të mrekullueshme”, tha Velçani.

Ndërkohë, duke iu referuar darkës së organizuar gje nga kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, prefekti bëri thirrje që të lihet mënjanë cdo koment dashakeqas.
“Sot duhet të lëmë cdo koment që lidhet me festën. Sot është një ditë që duhet të bashkojë gjithë shqiptarët. Në darkë ishin përfaqësues të të gjithë politikës, Berisha, Topalli, Jahjaga, Thaci, Ali Ahmeti ishin përaqësuesit më të lartë të politikës”, tha prefekti i Vlorës.

ATMOSFERA NË RRETHE
Ora 9:20-
Me rastin e jubileut të Pavarësisë, kanë startuar aktivitetet në të gjitha rrethet e vendit. Shkodra, kryeqendra e Shqipërisë së Veriut është veshur kuqezi, ndërsa janë dhënë aktivitete të shumta në Teatrin “Migjeni”. Nisin ceremonitë banda frymore e qytetit koncert para bashkisë. Aktivitetet do të vijojnë deri në orën 19:00

Ndërkohë që në Durrës qindra durrsakë kanë lënë shtëpitë e tyre dhe janë nisur për në Vlorë. E njëjta atmosferë festive është edhe në Elbasan, në Korçë, në Kukës, në Lezhë, në Gjirokastër e Fier. Ngjyra e kuqe e flamurit ka stolisur rrugët e shtëpitë e të gjithë shqiptarëve, të cilët kanë qenë më shumë se kurrë aktivë, për të ndezur atmosferën e qyteteve të tyre. 

TIRANA KUQEZI, PËRGATITET TORTA E PAVARËSISË
Ora 09:17- Atmosferë feste edhe në Tiranë. Kryeqyteti ka filluar të gjallërohet që në orët e para të mëngjesit, ndërsa pritet që edhe këtu të ketë dyndje të madhe qytetarësh. E vecanta e kësaj feste në Tiranë është torta gjignde që pritet të jetë gati nga momenti në moment, e cila po përgatitet në shkallët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), ku edhe do të bëhet ceremonia e prerjes së saj.

Dekori i kësaj torte padyshim që do të jetë me simbolet e shtetit shqiptar: Në qendër të saj do të jetë shqiponja dhe ngjyrat do të jenë kuq e zi. Po ashtu, një element tjetër dekorues i kësaj torte me përmasa gjigante do të jenë gjethet e ullirit, – kjo për arsye të simbolit që mbart kjo pemë. Përgatitja e tortës, sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e Tiranës, do të bëhet nga dhjetëra pasticierë, të cilët janë ofruar në mënyrë vullnetare. 

LIND BEBJA E PAVARËSISË 
Ora 8:45-
Shekulli i Pavarësisë është pagëzuar me ardhjen në jetë të një bebe vajzë. Fëmija e parë në këtë 100 vjetor Pavarësie lindi në Maternitetin ‘Bretëredha Geralidina’ në Tiranë Mjekët thanë se lindja ishte normale dhe bebja erdhi në jetë mëngjesin e sotëm rreth orës 02:15.

DYNDJE MYSAFIRËSH NË VLORË
Ora 8:00-
Që në orët e para të mëngjesit Vlora është e gjallë, njerëzit kanë filluar të mbushin “Sheshin e Flamurit”, vendi ku do të zhvillohet festa e madhe. Flamuri ynë kombëtar dhe ngjyrat kuqezi janë ato që mbizotërojnë në këtë qytet. Pritet që personalitetet më të larta të shtetit, por edhe personalitete nga bota pritet të jenë sot në Vlorë për të nderuar ditën më të rëndësishme të kombit. 

Mijëra banorë nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga trevat shqipfolëse, janë dyndur në Vlorë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ndërkohë që hotelet janë të tëra të prenotuara e të tejmbushura, vlonjatët kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të pritur mysafirët. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, grupet folklorike nga të gjitha trevat kanë mbushur rrugët dhe sheshet e qytetit bregdetar, duke shtuar atmosferën festive. Festivalet polifonike kanë çelur siparin dje dhe do të vazhdojnë deri më 29 nëntor. Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, muzeu i qytetit të Vlorës do të jetë i hapur 24 orë, me qëllim që të gjithë vizitorët ta vizitojnë atë në çdo orë. Larmisë së aktiviteteve të organizuara nga lokalët i janë shtuar dhe improvizimet e bëra nga shqiptarët e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia. (B.W/LajmeShqipcom)