Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 14:59

Shkup – Sot është përvjetori i 10-të i masakrës së Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë shtatë civilë shqiptare në fshatin Luboten të Shkupit.

Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u procesuan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Në mëngjesin e 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku vranë shtatë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

I dënuar për krime lufte, Johan Tarçullovski u dënua për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë.

Sipas aktakuzës, më 12 gusht 2001, anëtarët e një njësie policore të komanduar prej Johan Tarçulovskit kryen një sulm të paligjshëm në Luboten, gjatë të cilit vdiqën shtatë shqiptarë etnikë, së paku 14 shtëpive iu vu zjarri qëllimisht dhe më shumë se njëqind banorë të fshatit që ishin meshkuj shqiptarë, u arrestuan dhe u rrahën, poshtëruan dhe u keqtrajtuan psikologjikisht. Kjo është e vetmja çështje gjyqësore e Tribunalit në lidhje me konfliktin gjashtëmujor në Maqedoni.