Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 19:22

Prishtinë – Sikur se është raportuar, sot pasdite është arrituar pajtueshmëria drejt marrëveshjes midis kreut të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, për çështjen e funksionimit në veri të vendit. Portali LajmeShqip.com, sjell në vijim dhjetë pikat e kësaj pajtueshmërie, e cila ende nuk është quajtur dhe as nuk është ratifikuar si marrëveshje.

1) Zhbllokimi i të gjitha rrugëve për në pikat kufitare 1 dhe 31, largimi i të gjitha barrikadave.

2) Mbajtja e gjendjes së tanishme në pikat 1 dhe 31. Në pikën 1 është i vendosur KFOR-i amerikan dhe do të krijohen kushte solide për punë për Policinë e Kosovës, të EULEX-it dhe doganierët e Kosovës, ndërsa në pikën 31 janë prezente trupat e NATO-s, Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës.

3) KFOR-i të jetë përgjegjës për sigurinë në pikat kufitare 1 dhe 31, në bazë të autoritetit të NATO-së në Republikën e Kosovës.

4) Këto pika kufitare mbesin të mbyllura në parim për shkaqe sigurie dhe cilësohen si zona të kufizuara ushtarake në një hapësirë që do të përcaktohet në bazë të rrethanave aktuale dhe në të ardhmen.

5) Ndihmat humanitare do të lejohen të futen në Kosovë në pikat e lartpërmendura vetëm pasi të konstatohet nga një organizatë ndërkombëtare e pavarur që vërtet ekziston nevoja për ndihma humanitare. Aktualisht, nuk ekziston ajo nevojë.

6) Masa rigoroze të kontrollit të kufirit, ndaljes së kontrabandës dhe qarkullimit me armë. Çdo person dhe automjet që do të kalojë në pikën 1 dhe 31 do të kontrollohet për armë.

7) Çdo person do të kontrollohet për dokument identifikimi.

8) Treni që qarkullon Mitrovicë-Beograd dhe anasjelltas do të kontrollohet nga Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i.

9) KFOR-i do të ndërmarrë operacion kontrolli dhe do të vërë pengesa në rrugët dytësore në pikat e paautorizuara të kalimit të kufirit.

10) Dedikimet për Kishën Ortodokse Serbe do të lejohen të kalojnë për nevojat e saj si çdokund tjetër.