Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 12:31

Tiranë  -Konfederata e sindikatave të punonjësve, me mbështetjen e sindikatës së minatorëve, taksistëve, por edhe të organizatës të të papunëve, organizuan sot, me 1 Maj, e njohur ndryshe në botë edhe si dita e Punëtorëve, një protestë para selisë së kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Gjatë kësaj proteste, e cila nisi në ora 10:00 tek rruga e “Kavajës”, pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe që përfundoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Kryeministrisë, përfaqësuesit e Konfederatës dhe Sindikatave të punëtorëve kërkuan respektimin e të drejtave të punëtorëve, rritjen e pagës, si dhe uljen e shkallës së papunësisë.

Sipas Kreut të Konfederatës së sindikatave, Kol Nikolla, papunësia në vend është shumë e lartë. Sipas informacioneve që ne kemi, tha Nikolla, 400 mijë të papunë rezultojnë të jenë në fshatra, dhe pse këto janë regjistruar nga INSTAT si të vetëpunësuar. Përfaqësues të Sindikatave të minatorëve, taksistëve etj., në fjalën e tyre gjatë protestës e vunë theksin në padrejtësitë dhe shkeljet të të drejtave të njeriut që u bëhen sot punëtorëve në të gjithë vendin. Kërkesat kryesore të sindikalistëve protestues kanë qënë për punësim, paga më të larta, përmirësimin e kushteve të punës, etj.

1 Maji, ose Dita e Punëtorëve, është e në të gjithë botën. Ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që konsistonte në orarin e punës, në 8 orë dhe kushteve më të mira në punë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA). Ndërkohë, kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratohen dhe në Evropë. Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore.

Gjithashtu organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 Majin. Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit, duke shkaktuar shumë viktima. Data e 1 Maj është miratuar në Kanada në 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve i referohej këtu marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në 1872. (LajmeShqip.com)