Prishtinë – Edhe këtë vit, parkun e Gërmisë e karakterizon atmosferë festive, përkundër gjendjes së rëndë sociale në vend.
Ata që sot i janë drejtuar parkut të Gërmisë me makinat e tyre, janë ndaluar në udhëkryqin e Taukbahqes sepse, në ditën ddërkombëtare të punëtorëve 1 Maji, Komuna e Prishtinës ka urdhëruar që asnjë automjet privat të mos hyjë në parkun e Gërmis, përveç automjeteve të lejuara, për shkak të evitimit të bllokimit të veturave.
Qytetarët që nga orët e hershme të mëngjesit, kanë filluar të marrin rrugën drejt Gërmisë. Ata thonë se është vend që u qetëson shpirtin dhe u ofron zbavitje me natyrën e saj të bukur.
Megjithatë, që nga orët e hershme të mëngjesit për të mbajtur rendin dhe qetësinë në shërbim të qytetarëve, Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ të saj. Ndryshe, 1 maji, dita ndërkombëtare e punës përkujton brengat historike të punëtorëve në botë e filluar që në vitin 1880 në SHBA.
Ndërkaq tek ne, festa e 1 Majit tashmë është shndërruar më shumë në një festë tradicionale për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët po mundohen që të paktën në këtë ditë të relaksohen, duke u larguar nga problemet e përditshme. Përveç parkut “Gërmia”, si vend më i përshtatshëm për të kaluar një ditë feste konsiderohen edhe Batllava, Badovci, Gryka e Rugovës etj. (LajmeShqip.com)