Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 17:28

Shkup – Sot Lëvizja qytetare ZGJOHU! nëpërmjet nismës së saj “KOHA për BASHKIM” realizoi takimin e tretë me liderët e partive politike shqiptare, kësaj rradhe me kryetarin e Bashkimit Demokratike Shqiptar, Bardhyl Mahmuti, thuhet në kumtesën e Lëvizjes.

Drejtuesi i Lëvizjes ZGJOHU!, Artan Grubi falëminderoi liderin e BDSH-së, Mahmuti për takimin dhe e përgëzoi për përpjekjet në draftimin e një platform antidiskrimin që u prezentua javën e kaluar. Grubi informoi mysafirin e tij rreth takimeve me liderët shqiptarë dhe komunitetin ndërkombëtar, si dhe përpjekjeve të aktivistivë të shoqërisë civile të tubuar rreth nismës “KOHA për BASHKIM” për të përqëndruar votën shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit.

Pjesëmarrja e drejtpërdrejt e aktivistëve të tubuar rreth nismës “KOHA për BASHKIM” në zgjedhjet parlamentare ka qenë në fokus të bisedës.

Grubi më tej njohtoi Mahmutin që aktivistët kanë për qëllim të kontribuojnë në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapuara që i ka identifikuar Lëvizja ZGJOHU!, të cilat pjesërisht janë rezultat i impotencës institucionale të përfaqësuesve shqiptar në politik në 20 vitet e kaluara. Nisma synon të ndalon përmirësimin e gabimeve të të tjerëve dhe t’i jep një shtytje dhe frymë të re politikbërjes shqiptare duke parandaluar diskriminimin në thelb dhe jo duke u marrë me pasojat.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për nismën ‘KOHA për BASHKIM’ që mos të kontribuoj në fragmentimin e votës shqiptare andaj dhe ka nisur bisedime me të gjitha partitë politike shqiptare në mënyrë që të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi. Nisma ‘KOHA për BASHKIM’ shpreh qëndrim të prerë që bashkëpunimi ndërshqiptar, para dhe pas zgjedhjeve do të faktorizojë mandatarin shqiptar dhe do t’i mundësojë atij të jetë faktori kryesor në formimin e qeverisë e re”, thuhet më tej në kumtesën e lëvizjes qytetare ZGJOHU!.

Lideri i BDSH-së, Mahmuti, me këtë rast shprehu përkrahje të parezervë për iniciativën e Lëvizjes ZGJOHU!, duke treguar gatishmëri për bashkëpunim dhe bashkërenditje të aktiviteteve. Mahmuti theksoi që bashkëpunimi i liderëve politik dhe civil shqiptar duhet të ndërtohet rreth një platforme të përbashkët politike dhe shprehu gatishmëri të bashkëpunojë me partitë shqiptare pas zgjedhjeve dhe pas verifikimit të mandateve.

Gjatë takimit, Mahmuti dhe Grubi diskutuan mundësinë e nënshkrimit të një deklarate të përbashkët nga ana e partive politike shqiptare për të garantuar zgjedhje korrekte dhe demokratike, si dhe mirësjellje në procesin zgjedhor, ku Mahmuti tregoi gatishmëri për të qenë pjesë e asaj deklarate dhe të atyre përpjekjeve.

Kreu i BDSH-së çmon gatishmërinë e aktivistivë të shoqërisë civile për t’u kyçur në procesin zgjedhor dhe për të shërbyer si urë lidhëse për bashkëpunim midis partive politike shqiptare.

Grubi dhe Mahmuti ndajnë bindjen që qytetarët shqiptarë duhet të motivohen maksimalisht për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të 5 qershorit në mënyrë që shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre politik dhe të parandalojnë çdo keqpërdorim eventual të votës së tyre.

Nisma “KOHA për BASHKIM”, thuhet në kumtesë, do të realizojë takimin e rradhës me kryetarin e PPD, Sefedin Haruni nesër me filim në ora 12:00 në selinë e Partisë për Prosperitet Demokratik në Tetovë.