Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 11:57

Shkup – Lëvizja Qytetare “Zgjohu” përmes një komunikate për medie ka mbështetur grupin e tifozëve “Plisat” nga Prishtina dhe ka dënuar ashpër ndërhyrjen brutale dhe të pajustifikuar të njësitit të policisë së Kosovës të ardhur nga Mitrovica.

Sipas “Zgjohu”-t dhuna e pajustifikueshme e policisë ndaj fansave të pafajshëm, arrestimet skandaloze të ish ushtarëve të UÇK-së, deklaratat e pamatura të Ministrit Bajram Rexhepi dhe paligjësia në veri të Mitrovicës dëshmojnë frustracionin institucional të Ministrisë së Punëve të Brendshme që po përcjell virusin e impotencës politike drejt policisë së Kosovës.

“Pamjet pas ndeshjes basketbollistike Prishtina -Bambi ua rikujtuan shqiptarëve skenat e represionit të forcave serbe mbi shqiptarët duke tentuar t’i disciplinojnë ata nëpërmjet të abuzimit me institucionet e shtetit dhe aparatin ndëshkues, policinë. Plisat, bashkë me vëllezërit e tyre nga Shkupi dhe Tirana janë në ballë të proceseve kombëtare duke dhënë kontribut të pamohueshëm në përafrimin e Prishtinës me Tiranën dhe Shkupin duke i bërë një”, thuhet në komunikatën e “Zgjohu”-t.

Madje, Lëvizja “Zgjohu” në Prishtinë, me solidarizim të plotë nga zyra e “Zgjohu”-t në Shkup dhe tifozët “Shvercerat”- Shkup, solidarizohen me “Plisat” Prishtinë dhe kërkon përgjegjësi nga policia e Kosovës dhe ndëshkim të urdhëruesve të këtij intervenimi skandaloz kundër djemve dhe vajzave shqiptare në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.