Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 18:00

Tiranë – Bashkia e Tiranës depozitoi sot një kallëzim penal ndaj institucionit arsimor “Wilson”, pasi Policia Bashkiake ka evidentuar se kjo shkollë ka dëmtuar parkun e Liqenit Artificial. Policia Bashkiake gjatë një kontrolli ka konstatuar pemë të prera dhe prova të tjera materiale në zonën ku është kryer dëmi ndaj pasurisë së qytetarëve të Tiranës.

Nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti, duke folur në territorin ku është evidentuar dëmtimi i Parkut të Liqenit, shprehu indinjatën e tij për këtë masakër mjedisore.

“Çështja bëhet akoma më dramatike, kur në qendër të ngjarjes ndodhet i përfshirë një institucion arsimor, i cili duhet të bëjë të kundërtën. Ai duhet të promovojë dashurinë e studentëve dhe nxënësve për mjedisin, për ruajtjen e tij dhe për fat të keq jep shembullin e kundërt. Më lejoni njëkohësisht t’ju bëj të ditur edhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të marrë masa të rrepta, për të bërë kallëzim penal ndaj aktorëve që janë përgjegjës për këtë masakër mjedisore. Njëkohësisht, në bashkëpunim me organet e  pushtetit qëndror, ne do të marrim të gjithë masat e tjera, deri në revokim të liçencës për ushtrimin e aktivitetit”, deklaroi Panariti.

Duke filluar nga dita e nesërme, Bashkia e Tiranës do të organizohet për të bërë një inventarizim të detajuar të çdo bime, të çdo peme dekorative në Parkun e Liqenit Artificial dhe kjo pas dy tre ditësh do të shoqërohet edhe me kalimin e statusit të Parkut Natyror Rajonal për Liqenin, që do të jetë garancia dhe mbrojtja ligjore që do i jepet këtij fondi të vyer të kryeqytetit.

Së shpejti, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të miratojë propozimin e Bashkisë që zonës së Liqenit t’i jepet statusi i Parkut Natyror Rajonal, çka do të sigurojë një mbrojtje më të fortë ligjore.