Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 16:51

Shkup – Pas paralajmërimeve se tre figurat e heronjve shqiptarë do të vendosen në sheshin Maqedonia në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, sipas gjitha gjasave ata nuk do të vendosen as gjatë këtij viti.

Me këtë projekti i ashtuquajtur multietnik, “Shkupi 2014”, synon të mbetet vetëm monoetnik, ashtu siç e kishin prezantuar autoritetet në fillim.

Kërkesat që në këtë projekt të përfshihen edhe figura shqiptare, nuk po përfillen. Nga Komuna Qendër nuk kanë disponim për vendosjen e tyre, derisa nga Qeveria e amnistojnë veten, duke thënë se ky projekt është nën kompetenca të Komunës.

Nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës, duke mos dhënë hollësi për atë se çka do të ndodhë me tre figurat, kanë thënë se ky projekt drejtpërdrejt është nën kompetencat e Komunës Qendër.

Nga ana tjetër, burime anonime nga Komuna Qendër kanë bërë të ditur për Lajmeshqip.com se edhe përskaj shpalljes së konkursit në tetor të vitit të kaluar, “nuk ka lëvizur asgjë në këtë drejtim”.

“Momentalisht nuk ka aktivitete në këtë drejtim. Edhe pse në kuadër të projektit ‘Shkupi 2014’, është paraparë të vendosen edhe tre figura të personaliteteve të rëndësishme shqiptare, tani për tani s’ka lëvizje.

Ndoshta, mund të ndodh që figurat të vendosen kah fundi i vitit, pasi ky projekt ende nuk ka kaluar nëpër këshillin komunal. Konkursi për ndërtimin e këtyre tre figurave është shpallur me 27 tetor të vitit të kaluar. Problematika qëndron aty pasi Komuna Qendër nuk është shumë e interesuar të realizojë këtë pjesë të projektit dhe merret me projekte dhe aktivitete të tjera”, ka thënë një burim anonim nga komuna Qendër.
Tre figurat e para që u paralajmërua të vendosen në kuadër të projektit qeveritar “Shkupi 2014” ishin Pjetër Bogdani, Nexhat Agolli dhe Josif Bageri. Ndërkohë, ky projekt është në realizim e sipër dhe deri në këto momente në sheshin e qytetit të Shkupit, janë vendosur figurat e revolucionarëve Goce Dellçev, Dame Gruev dhe Metodija Antonov Çento, derisa edhe Porta Triumfale dhe disa figura të tjera janë në ndërtim e sipër.