Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 15:00

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot, me anë të një deklarate për shtyp, ndaj qëndrimeve të kryetarit të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule.

Sipas  PDIU-së, “i gjendur pa shumë hapësirë manovruese politike, me një numër votash gjithmonë e në tkurrje, u shfaq në një televizion provokatori përsëritës Vangjel Dule. Ky njeri është në panik nga mbështetja elektorale që mori kudo nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim, PDIU, partia jonë që përfaqëson popullin shqiptar të Çamërisë dhe ka ditur ta shndërrojë çështjen çame në çështje të të gjithë shqiptarëve,” tha kryetari, Shpëtim Idrizi.

Idrizi nënvizon se “ky njeri nuk përfaqëson interesat e minoritetit grek, sepse përndryshe ai minoritet do ta votonte masivisht. Përkundrazi, megjithë manovrat, shitjet e vizave me konsuj xhambazë, me shkatërrues varresh, ky njeri e ka tretur gjithnjë e më shumë partinë që i urti Vasil Melo themeloi dikur,”tha Idrizi.

Ky njeri, vijon më tej krue i PDIU-së se “i fryn ndarjes mes minoritetit grek dhe popullsisë tjetër shqiptare, sepse përndryshe do ta respektonin, njëlloj si ne respektojmë miqtë tanë të minoritetit grekë në marrëdhënie jetësore, të çfarëdo lloj natyre. Si pasojë ky njeri nuk përfaqëson askënd në Shqipëri. Ky njeri përfaqëson interesat e qarqeve të errëta të vendit fqinjë. Tezat që ai shpalosi, në një emisionin televiziv, në lidhje me Çamërinë, me refuzimin në kufi të, gjyshërve dhe gjyshërve tanë që i krijojnë frikë s’dihet se kujt në Greqi, nuk i kemi dëgjuar prej ndonjë autoriteti zyrtar grek. Pra jemi vërtet të çuditur se prej nga ku i merr ushqimet propagandistike ky njeri”, sqaroi Idrizi.

 Më tej ai sqaron se “Dule do të ishte mirë të merrte disa leksione historie përpara se të fliste për të. Nëse do ta bënte, do të dinte mjaft mirë se termi Thesproti është ringjallur në Greqi as më shpejt e as më vonë sesa në vitin 1937. Ndërkaq, termi Çamëri, që vjen nga lashtësia, nëpërmjet lumit legjendar Thiamis, ka qenë i përdorur zyrtarisht edhe nga vetë Greqia deri në atë vit. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, e thonë edhe shkencëtarët grekë, përfshi ministrin aktual të Arsimit në Greqi, gjuhëtarin Jorgos Babinjotis, në fjalorët e tij”.

Në konferencën për shtyp, Idrizi u shpreh se “duke ju përgjigjur atij, ne po i përgjigjemi atyre qarqeve të errëta të politikës dhe të shtetit grek që s’guxojnë të dalin në dritë, por vendosin para vetes shërbëtorin e tyre Dule. Ne i themi këtyre qarqeve, këtij njeriu të tyre, se Çamëria ka qenë dhe mbetet një realitet historik dhe ekzistues, sot dhe në të ardhmen, “ tha ai.