Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 14:25

Tiranë – Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi sot distancimin e KLD-së nga çdo lloj akuze e pabazë që adresohet te Kolegji Zgjedhor.

Në një konferencë shtypi, Spahiu shprehu qëndrimin e KLD, lidhur me kërkesën e Kolegjit Zgjedhor, për mbështetje institucionale, pas akuzave të ngritura ndaj tij nga Partia Socialiste për zgjedhjet lokale të 8 majit.

“KLD ka vendosur me konsensus që të distancohet nga çdo lloj akuze që adresohet tek Kolegji Zgjedhor që nuk janë të mbështetura në fakte dhe prova. Gjithashtu, distancohemi nga çdo lloj thirrje apo denigrim të figurës së gjyqtarit kur nuk ka fakte dhe prova se ka kryer një vepër penale. Nuk mund të denigrohet figura e gjyqtarëve për shkak se japin një vendim”, tha Spahiu.

Numri dy i KLD-së, Spahiu kërkoi që debatet për procesin zgjedhor të mos transferohen në KLD. “Zgjedhjet nuk administrohen nga Gjykata, por nga faktori politik”, theksoi  Spahiu.

Deklarata e Spahiut u bë pas mbledhjes së zhvilluar sot nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. KLD diskutoi sot mbi kërkesën e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor për mbrojtje institucionale, pas akuzave për marrje rryshfeti të ngritura ndaj tyre nga Partia Socialiste, lidhur me zgjedhjet e 8 majit 2011.

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të vënë nën akuzë nga Partia Socialiste, pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, janë zgjedhur pak vite më parë në këto funksione me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës.