Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 10:23

Tiranë (PLOTESUAR 14 mars, 14:00) Kreu i partisë Socialiste Edi Rama vizitoi në 4-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, familjen Durda në fshatin ku ndodhi tragjedia.

“Vendimi i gjyqit për ngjarjen tragjike të 4 viteve më parë ishte një poshtërim. Në Shqipëri drejtësia jepet sipas mundësisë për ta blerë”, tha Rama, duke shtuar se tragjedia e Gërdecit është një plagë që nuk mbyllet me një farsë gjyqsore dhe me një pazar të korruptuarish.

Më herët pranë kraterit të shpërthimit familjarë të viktimave dhe deputetë të opozitës vendosën lule në vendin ku ndodhi tragjedia.

Nëna e Edison Durdës, Zamira Durda shprehu dhimbjen e madhe në këtë moment, kur nuk drejtësia nuk dha drejtësi për përgjegjësit.

 *****************************

Tiranë-Sot mbushen plot 4 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit tragjik në fabrikën e demontimit të municioneve humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 persona. Gjatë ditës pritet të zhvillohen homazhe nga ana e familjarëve por edhe politikanëve në kujtim dhe nderim të viktimave të asaj tragjedie.

Në homazhe pritet të marrë pjesë kreu i PS-së Edi Rama dhe përfaqësues të opozitës.  Ata do të vendosin lule në memorialin përkujtimor të ngritur posaçërisht për viktimat e tragjedisë së Gërdecit.

Tre ditë para 4-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund maratonës së gjatë të procesit për 29 të akuzuarit për këtë ngjarje të rëndë.10 të pafajshëm, 99 vjet burg në total dhe 40 milionë lekë gjobë, si dhe dënime sporadike për ish-zyrtarë të ushtrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes me ndalime me afat nga 1 vit deri në katër të ushtrimit të detyrës në funksione shtetërore.

Më 15 mars 2008, e shtunë, ora 11 e 43 minuta. 400 ton municione shpërthyen në punishten e demontimit të armëve në Gërdec, një fshat 13 kilometra nga kryeqyteti shqiptar, duke shkaktuar 26 të vrarë e 300 të plagosur.

Perimetri i vatrës së shpërthimit ishte 3.5 kilometra, ndërsa zona e kraterit 18 hektarë. Zona që ndjeu ndikimin maksimal të këtij shpërthimi shkoi deri në 3 mijë hektarë përreth punishtes së Gerdecit, ndërsa tronditi mijëra banorë.

Lëkundjet që shkaktoi në tokë u llogaritën të ishin ato të një tërmeti 4 ballë. Jo vetëm opozita, e cila ndërmori protesta të fuqishme në 1-vjetorin e tragjedisë, por edhe mazhoranca, premtoi se do të kishte një proçes gjyqësor të drejtë.

Deri në 15 mars 2009, ditë kur nisi aventura e procesit gjyqësor, të gjithë prisnin me sy nga drejtësia. Në bankën e të akuzuarve u përfshinë jo vetëm pronari, administratori, drejtues të demontimit, por edhe gjeneralët që drejtonin ushtrinë shqiptare deri në 15 mars 2008.

Por gjyqi i Gërdecit do të haste në një zvarritje të pafund. E gjatë këtyre zvarritjeve, ku dominonte mungesa e mbrojtësve, edhe katër të pandehurve që ndodheshin në burg, Pinari, Minxolli, Delijorgji dhe Ngjeci, u përfunduan afatet e paraburgimit.

Gjykata e Lartë kërkoi lirimin e tyre e detyruar pasi vetë gjyqtarët në një çështje kaq sensitive, kryen pushime të gjata verore duke i dhënë përfundimisht të drejtën të pandehurve ta linin qelinë e burgut 313.

Të gjithë të pandehurit kanë patur një kërkesë të vazhdueshme, ajo që nuk u realizua asnjëherë: Riekspertimin e shkaqeve se përse ndodhi Gërdeci; sjellja në proçes e Patrick Henry, njeriut që edhe në përfundim të këtij proçesi asnjëherë nuk u zbulua se çfarë roli kishte në tragjedi.

Pavarësisht 300 dëshmitarëve që solli akuza, nga të cilët prej disave hoqi dorë, proçesi u fokusua më shumë në gjendjen emocionale të të dëmtuarve sesa për t’i rënduar të pandehurit ligjërisht.

Por brenda të pandehurve gjithmonë kishte konflikte, mes civilëve dhe ushtarakëve, ku fatura e përgjegjësisë nuk caktoi përfundimisht se kush ishin direkt njerëzit që për shkak të shkeljeve të rregullave me lëndët plasëse, punësimit të punëtorëve të pakualifikuar dhe të të miturve, apo depozitimit të qindra tonelatave me barut në fabrikë, shkaktuan tragjedinë.

Me 186 seanca gjyqësore, i etiketuar shpesh si telenovela apo seriali “Gërdeci”, verdikti i shkallës së parë nuk dha asgjë nga ajo që pritej. Jo për shkak të sasisë së dënimeve dhe 10 pafajësive, por për paqartësitë e këtij vendimi që për disa akuza, të cilat përplasen me njëra-tjetrën, lë shtegun e hapur që në Gjykatën e Apelit telenovela të vazhdojë. (TCH)