Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 16:20

Burime nga prokuroria e Tiranës bënë sot të ditur se prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës,  duke kërkuar rrëzimin e tij si dhe vendosjen e masave që prokuroria kishte kërkuar në pretencë.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës dha vendimin për çështjen “Gerdeci”, me 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish- funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.

Gjykata e Tiranës vendosi  94 viteve burg në total për të akuzuarit, ndërsa shpalli të pafajshëm dhjetë të pandehur.

Në pretencën e saj, Prokuroria kishte kërkuar masa më të ashpra dënimi për të pandehurit, ndër to tre burgime të përjetëshme.

Të pandehurit e procesit akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars te vitit 2008, në fshatin Gërdec, afro 18 kilometra larg Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ish- fabriken e demontimit të armëve dhe municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumica punëtorë,  ndërsa qindra të tjerë u plagosën.

Nga shpërthimi i fuqishem, i shkaktuar nga eksplodimi i sasive të mëdha të barutit, pati dëme të shumta materiale në zonën përreth, sidomos në banesa.