Tiranë – Seanca për çështjen “Gërdeci” vijoi sot në Gjykatën e Tiranës me pyetjen e ish- drejtorit të kompanisë “Meico”, në Ministrine e Mbrojtjes, të pandehurit Ylli Pinari.
Në seancën e zhvilluar paraditen e sotme, i pandehuri Pinari u pyet nga prokurorët e çështjes lidhur me kontratat për demontimin e municioneve luftarake në Gërdec me kompanine “SAC” apo njohjet e tij me përfaqësuesin e kësaj kompanie, shtetasin amerikan Patric Henry.
Ish- zyrtari i Meico-s, Pinari deklaroi se e kishte njohur Patric Henry, në vitin 2006, kur, ai kishte shfaqur interers për demontimin e municioneve luftarake në vendin tonë. “Për propozimet e bërë nga kompania “SAC”, kemi vënë në dijeni ministrinë e Mbrojtjes, theksoi Pinari.
I pyetur për lidhjet e tij me biznesmenin Mihal Delijorgji, Pinari pohoi se, Delijorgjin e kishte njohur, para vitit 2000, kohe kur, ishte i angazhuar në sektorin privat.
Në seancë, Ylli Pinari refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorisë lidhur me materialet shkresore të sekuestruara në kumpjuterin e zyrës së tij të punës në kompanine MEICO, duke deklaruar se ato ishin administruar në mënyrë të kundraligjshme nga organi i akuzes.
Si të pandehur në çështjen “Gërdeci”, janë 29 persona, në pjesën më të madhe ish- funksionarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë. Ata akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 ne fshatin Gërdec të Tiranes, kur si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jeten 26 persona ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë.
Procesi “Gerdeci”, i nisur prej mëse një viti në Gjykaten e Tiranes, aktualisht është fokusuar te marrja në pyetje e të pandehurve të tij.