Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 16:47

Tiranë – Kontigjenti paqeruajtës i batalionit të Forcave Speciale “Eagle 2”, prej 44 specialistësh të ushtrisë shqiptare është kthyer sot në atdhe, pas përfundimit me sukses të misionit në Kandahar të Afganistanit.

Ky kontingjent, i përbërë nga ushtarë profesionistë, nënkolonel dhe kolonel, kreu shërbimin e tij për 6 muaj në linjën e parë të luftimit përkrah forcave speciale amerikane.

Në ceremoninë e pritjes të zhvilluar në Aeroportin “Nënë Tereza”, merrnin pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, Atasheu ushtarak i SHBA-së, Komandant Glen Braën, ushtarakë të lartë të FA-së si dhe miq e të afërm të cilët kishin ardhur për ti uruar mirëseardhjen misionarëve të paqes.

Në fjalën e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi vlerësoi trupat “Eagle 2” të cilët sipas tij, për 6 muaj me radhë përfaqësuan denjësisht Forcat tona të Armatosura dhe shtetin shqiptar në një mision shumë të vështirë në shërbim të paqes në Afganistan.

“Ju vepruat dhe zhvilluat operacione përkrah aleatëve tanë të NATO-s në zonat më të nxehta të konfliktit, me një motiv të qartë për të rritur sigurinë, për të mbrojtur jetë të pafajshme dhe për të garantuar një jetë më të mirë për popullin afgan, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë, guxim dhe besim”, nënvizoi Gjeneral Gjunkshi.

Më tej, ai vuri në dukje se, “përvoja që ju fituat është një garanci më tepër, se Forcat tona të Armatosura do të vazhdojnë të përgatisin dhe trajnojnë ushtarakë të aftë dhe të devotshëm, për të kryer detyra të tjera të ngjashme që do të na ngarkohen nga qeveria dhe shteti shqiptar në përmbushjen me sukses të misionit kushtetues, si brenda dhe jashtë vendit”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm falënderoi edhe Forcat e Armatosura të vendeve të NATO-s, për të gjithë mbështetjen që i kanë dhënë trupave tona gjatë misionit të tyre në Kandahar për besimin, vlerësimin dhe partneritetin që kanë ofruar për të operuar dhe kryer së bashku me sukses këtë mision.

Trupat paqeruajtës ‘Eagle 2’ janë përshëndetur edhe nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve të Forcave Speciale, Nënkolonel Dritan Demiraj, i cili theksoi se me kthimin e këtij kontingjenti në atdhe u realizuan dy objektiva kryesore, kryerja me sukses e misionit si dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i vendit tonë në strukturat Euroatlantike.

Para nisjes së tyre me mision në Afganistan në janar të këtij viti, “Misionarët e Paqes”, iu nënshtruan një programi trajnues dhe kualifikues special.

Aktualisht, Forcat e Armatosura shqiptare nëpërmjet strukturave të Forcës Tokësore marrin pjesë me trupa në Operacionet e Mbështetjes së Paqes “ISAF” të drejtuara nga NATO në Afganistan me 2 kompani në Herat, 1 togë në Kabul për operacione siguruese, shoqërimi, si dhe 1 kompani speciale në operacion luftarak në Kandahar, Afganistan.

Kjo kompani zëvendësohet tashmë nga kontingjenti ‘Eagle 3’, i certifikuar si nga forcat speciale amerikane, shtabi i Forcës Tokësore, SHP të FA dhe i mirëstërvitur nga komanda dhe shtabi i batalionit special.