Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 17:49

Lorik Bajrami nga organizata Çohu thotë se Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë shkelje të rëndë ligjore duke ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në formularët e pesë deputetëve  të cilët nuk kanë deklaruar pasuritë e tyre brenda afatit ligjor.

Sipas tij Agjencia ka shtuar në formularët e deputeteve, kompanitë të cilat deputetët nuk i kishin deklaruar me kohë si dhe ka ndryshuar datat e deklarimit të tyre.

 “ Drejtori i agjencisë ka bërë një shkelje të detyrës zyrtare dhe si i tillë institucionet sikur prokuroria, por edhe komisioni për legjislacion duhet me u marr me këtë punë për shkak se këtu kemi falsifikimet dokumenteve zyrtare nga ana e zyrtareve publikë”-tha Bajrami.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni më herët kishte deklaruar se këta deputetë nuk kanë bërë shkelje ligjore sepse kompanitë e tyre nuk kanë pasur qarkullime financiare. Por sipas Lorik Bjramit katër nga shtatë bizneset e deputetëve kanë pasur qarkullime financiare.

Deputetet të cilët figurojnë në listën e organizatës Çohu, të cilët nuk kishin deklaruar pasuritë e tyre  në afat ligjor janë: Shaip Muja, Ilir Kuleta, Hashim Deshishku, Nazane Breca, Vesimir Savic, Sala Berisha dhe Teuta Sahatqija. Drejtuesit e Cohut kanë paralajmëruar se deponimin e dosjes do ta bëjnë edhe në prokurori.

Reaon Preteni…

Drejtori i Agjencisë kundër korrupsionit Hasan Preteni i ka quajtur shpifje dhe sjellje të pamoralshme pohimet e organizatave “Çohu” dhe “Qendra për Gazetari Hulumtuese”, të cilat akuzuan Agjencinë se ka “falsifikuar” formularët e deklarimit të pasurisë të disa deputetëve të Kuvendit të Republikës.

Preteni në konferencën për media tha se individë të caktuar që fshihen pas petkut gjoja të shoqërisë civile përmes shpifjeve dhe shantazheve po mundohen ta minimizojnë punën e Agjencisë kundër Korrupsionit.

“Më 27 janar kam marr një porosi që ka ardhur si “selam” nga njerëzit e kësaj organizate se janë duke pritur një moment të qetë pa ndonjë ngjarje të madhe dhe të dalin në konferencë dhe të flasin kundër Agjencisë. Po ashtu ata më kanë paralajmëruar se janë duke bërë edhe një kallëzim penal ndaj meje dhe pikërisht siç kanë thënë ata do e bëjnë për të bërë një aktivitet të madh medial”, tha Preteni.